Fino: Nuk do të ketë përjashtime në Kongres,debatet për pikat e statutit
Deputeti socialist, Bashkim Fino shpjegon ndryshimet në statut, me qëllim forcimin e PS-së në përballjet elektorale. “Kryesia e re duhet të përbëhet nga njerëz politikë, që duhet të jenë minimalisht dhe drejtues politikë për çdo qark. Turi i Malajt? Në PS ka liri me tepricë”
Intervistoi: Fejzi Braushi
Deputeti socialist, Bashkim Fino, njëkohësisht anëtar i grupit të punës për ndryshimet në statut, në një intervistë për MAPO-n tregon kundërshtitë e tij në lidhje me pika të ndryshme të paketës së reformës statutore. Megjithëse pranon qëndrimin e shumicës së grupit, ai shprehet se ka qenë kundër ekzistencës së kryetarit të PS-së së rrethit, ndërsa bën të ditur gjithashtu se është partizan i idesë që deputetët të votohen për të qenë anëtarë asambleje.
Zoti Fino, grupi i punës i ngritur nga Asambleja ka përfunduar punën duke përgatitur një paketë propozimesh për ndryshime në statut. Si anëtar i këtij grupi, mund të na thoni se çfarë synojnë këto ndryshime?
Në përgjithësi, statuti aktual i PS-së është shumë i mirë, ndaj janë bërë vetëm disa saktësime të nevojshme dhe të domosdoshme. Mendoj se ndryshimet që propozohen do të jenë në funksion të mirëqeverisjes së PS-së dhe të drejtimit apo dhe të organizimit të saj. Grupi i punës bëri një analizë të statutit aktual, të problematikës që ka sot në gjithë jetën politike socialiste, duke filluar që nga organizatat, komunat, bashkitë, rrethi, qarku dhe deri tek grupi parlamentar. Ne u munduam të bëjmë saktësime të nevojshme dhe të domosdoshme për të mirën e punës. Së pari, afrimi në PS duhet të jetë i lirë, nuk do të jetë më me ato rregullat strikte, por do jetë: kush ka dëshirë të aderojë në PS, është absolutisht i lirë të vijë dhe të investojë kapitalin e vet në këtë ndërmarrje të madhe politike dhe do të jetë i mirëpritur në strukturat e PS-së. Gjithashtu u bë e mundur një shtrirje më e mirë e sistemit të organizatave socialiste mbi bazë territori, lagjeje, fshati, dhe sidomos mbi bazën e qendrave të votimit. Si përfundim, do kemi një organizatë socialiste të fuqishme, të barasvlefshme me një qendër votimi, e cila do të jetë e manovrueshme, e veprueshme, e monitorueshme për të parë sesi punon në jetën e saj kur bëhet fjalë për të votuar qoftë për pushtetin vendor ashtu, edhe për legjislativin. Nga ana tjetër, u forcua roli i kryetarëve të partisë në nivel vendor, kryetarë komune dhe bashkie të PS-së, të cilët do të zgjidhen nga kryetarët e organizatës dhe delegatët e Kongresit e këshilltarët e njësisë vendore ku janë. Pas kësaj është niveli i kryetarit të rrethit.
Të ndalemi pak këtu zoti Fino, ju keni qenë një nga partizanët e idesë që, organizimi i PS-së në këtë nivel të kalojë nga ai në bazë rrethi, në bazë ZAZ-je….
Këtu pati një debat. Po është e vërtetë ajo që thoni ju, unë personalisht kam qenë edhe përpara kundër që nuk mund të kemi kryetar rrethi, por duhet të kemi kryetar sipas ZAZ-ve, por gjithsesi jam i detyruar të respektoj mendimin e grupit të punës, të cilët menduan se kryetari i rrethit jo vetëm duhet të ekzistojë, por duhet të forcohet edhe më shumë. Unë jam absolutisht dakord që roli i kryetarit të rrethit duhet të forcohet më shumë për të marrë drejtimin organizativ të partisë në shkallë rrethi, i cili votohet nga të gjithë kryetarët e organizatave në njësi. Gjithashtu u la parimi një ‘anëtar-një votë’, për zgjedhjen e delegatëve dhe kryetarin e partisë. Kongresi nga ana e vet do të zgjedhë ashtu siç edhe tani Asamblenë Kombëtare. Këtu pati një debat dhe me propozimin tim u shtua që të jenë dhe kryetarët e bashkive qendër qarku. Pjesa tjetër do të zgjidhet nga një listë kombëtare dhe jo si tani, me dy lista. Por u vendos që 50 +1% të vendeve në asamble do të jenë të zgjedhur drejtpërdrejt. Ndërsa ata që vijnë për shkak të funksionit, do të jenë më pak. Kjo do të jetë diçka shumë pozitive. Kjo asamble pastaj ka detyrën që të bëjë një libër rregullash më të detajuara mbi bazën e parimeve kryesore të këtij statuti dhe të këtyre rregullimeve që ne kemi bërë. Kjo asamble ka të drejtën që të zgjedhë kryesinë e PS-së, dhe në statut u sanksionua që kjo kryesi do të përbëhet nga njerëz politikë që duhet të jenë minimalisht dhe drejtues politikë për çdo qark. Pra do të ketë një ndarje pune funksionale të anëtarëve të kryesisë.
A ka pasur debate dhe cilat kanë qenë pikat e nxehta gjatë punës së grupit?
Po, ka pasur debate të forta, diskutime të zjarrta, gjithmonë për të shëndoshur punën e partisë. Për shembull, një çështje që ka shkaktuar diskutime ka qenë ajo për kryetarin e rrethit, që e shpjegova më lart. Gjithashtu, një çështje tjetër ka qenë ajo që Asambleja të përbëhej nga njerëz që votoheshin. Pra edhe deputetët, për të qenë anëtarë asambleje duhet të votoheshin në Kongres së bashku me të tjerët. Natyrisht mund të futeshin drejtpërdrejt në asamble vetëm kryetarët e rretheve. Natyrisht, nuk u mor në konsideratë një mendim i tillë dhe u la për t’u diskutuar e votuar përfundimisht në Kongres. Paketa e propozimeve ka dhe elementë të tjerë për forcimin e organizimit të partisë në emigracion, për FRESSH-in dhe Forumin e Gruas.
Zoti Fino, meqë dolët vetë në këtë çështje, mund t’ju pyes se për sa kohë penalitetet ju thoni janë në statut, nuk kemi parë që ato të zbatohen…
Për hir të së vërtetës, ne nga kjo vuajmë. Ne penalitetet i kemi në statut dhe goxha të detajuara, por asnjëherë nuk janë zbatuar. Nuk janë zbatuar dhe për t’u dhënë një përgjigje të gjithë atyre që kanë një mendim ndryshe, të gjithë atyre që flasin përditë për liri apo për mendimin ndryshe, kanë qenë të lirë, kanë qenë të hapur, kanë folur në çdo media dhe në çdo televizion. Ne nuk e kemi marrë mundimin për ta shfletuar statutin, për ta parë me gërmë dhe me emër, për ta parë në mënyrë strikte për të vepruar ndaj të gjithë atyre që veprojnë, gjykojnë apo kanë mendim kundër. E kam fjalë për të gjithë ata, të cilët nuk zbatojnë vendimet politike. Kur merret një vendim politik në grupin parlamentar, në asamble dhe themi që nuk do shkojmë në parlament, këto dy apo tre muaj, do të thotë që ky është një vendim politik, pavarësisht se brenda grupit mund të ketë njerëz që mendojnë edhe ndryshe dhe duan të shkojnë në seancë. Në qoftë se e zbaton vendimin politik, je korrekt me statutin, me të cilin ti ke ardhur në këtë parti. Në rast se ti shkon në parlament, kjo do të thotë se ke shkelur një vendim politik dhe ke shkelur statutin dhe do të thotë që po të zbatoheshin penalitetet e statutit, absolutisht ti nuk mund të jesh më pjesë e grupit dhe duhet të jesh automatikisht i çregjistruar nga kjo parti. Çka në PS nuk ka ndodhur. Besoj se kjo nuk do ndodhë as në Kongres, sepse ne kemi nevojë për të gjithë. Por natyrisht, të gjithë këta shokë duhet të na kuptojnë dhe ne të shumicës dhe në sensin më pozitiv, i kemi dëgjuar, po i dëgjojmë me qetësi, s’po e humbasim qetësinë, por ne asnjëherë nuk kemi kërkuar për të zbatuar pikat e statutit. Kështu që mendoj se të gjitha këto diskutime i kanë shërbyer më tepër PS-së, e kanë bërë atë më demokratike, më të zhdërvjelltë, por natyrisht që respektimi i rregullave duhet të bëhet, sepse në fund të fundit, në çdo parti ka dhe rregulla që duhet të respektohen nga të gjithë. Ne duhet të japim idenë dhe mësimin dhe për njerëzit poshtë, në nivel lokal.
Zoti Fino, çfarë prisni nga Kongresi i 5 nëntorit?
Kongresi i 5 nëntorit është një kongres zgjedhor dhe që do të hartojë një program partie shumë të rëndësishëm, programi i fitores së ardhshme në 2013-ën, një program që do t’u ofrojë shqiptarëve zgjidhje shumë herë më të mira sesa këto që bën qeveria aktuale. Ky kongres do të ofrojë gjithashtu dhe ndryshime në statutin e partisë që padyshim do ta bëjnë më të mirë jetën organizative të saj. Do t’u ofrojë mirëkuptim, bashkëpunim të gjithë socialistëve kudo që janë, edhe atyre që janë të zhgënjyer apo të mërzitur për të ardhur sa më shpejt në pushtet. Por ajo që ne mendojmë është një kongres show politik për t’u treguar shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se PS-ja është një parti serioze në opozitë, e organizuar mirë nëpërmjet statutit dhe me një program shumë të detajuar për të ardhur sa më shpejt në pushtet. Mendoj se do jetë një kongres suksesi, absolutisht jo një kongres përjashtimesh dhe regjistrimesh, absolutisht nuk e shikoj një gjë të tillë, sepse mendoj se ky Kongres u ka lënë mundësi të tërëve për të folur, për të diskutuar, për të dhënë mendime.
Ndërkohë që PS merr këto reforma statutore, disa kolegë tuaj deputetë kanë ndërmarrë një tur në bazë, ku kërkojnë demokratizimin e partisë. Keni një koment për këtë?
Nuk i paragjykoj, janë miqtë e mi, nuk i paragjykoj për arsyen se PS-ja kështu është ndërtuar, është parti demokratike, çka u mungon partive të tjera jo vetëm kundërshtare, por mbase edhe atyre që ne i kemi edhe në koalicion. Kjo është një bukë e përditshme për mediat, të cilën PS-ja di ta gatuaj mirë. Por të kërkosh demokratizimin e partisë nuk është kurrë diçka negative, absolutisht nuk mund ta quaja negative, por do ta quaja pozitive, sepse kërkon të demokratizosh jetën politike të një force politike që është serioze dhe që kërkon të vijë në pushtet. Pra, nga pikëpamja parimore nuk kam asgjë, jam tërësisht dakord. Nga pikëpamja sesi kërkohet dhe mënyra sesi realizohet, natyrisht që kam dhe unë vërejtjet dhe sugjerimet e mia. I kam ato, sepse kanë të bëjnë me mënyrën sesi ato mund t’i kërkosh. Është dhe kjo një mënyrë për të shkuar dhe për të folur në bazë, është dhe një mënyrë tjetër për të folur me institucionet e PS-së, qofshin këto grupi parlamentar, qoftë Asambleja, qoftë Kryesia. Është një mënyrë shumë e hapur në këtë një muaj e ca për të sjellë sugjerime dhe propozime në statut. Nëse ti do demokratizimin e mëtejshëm të partisë, më sill propozime për t’i bërë pjesë në statut, m’i sill që unë t’i hedh për diskutim.
Ka pasur faktikisht ndonjë propozim që i shërben demokratizimit të mëtejshëm të partisë gjatë kësaj kohe?
Asnjë propozim nuk ka pasur nga çdolloj individi, por thjesht nga grupi i punës është diskutuar për momente të caktuara që unë i thashë dhe më lart. Pra duhet të ndajmë dy gjëra: momentin parimor, përse kërkohet që është shumë pozitiv, por nuk duhet abuzuar me këtë dhe kam përshtypjen se kolegët e mi po abuzojnë me këtë me këtë gjë, dhe me momentin ku dhe se si duhet t’i kërkojnë. Unë personalisht mendoj se këto duhen kërkuar në forumet e partisë. Sepse aty diskutohet dhe merren vendime në fund të fundit. Nuk merret vendim poshtë tek njerëzit, se aty zakonisht merren mendime. Janë strukturat e partisë ato që marrin vendime përfundimtare dhe në momentin që ato marrin vendime, ti je i detyruar që si minorancë ta zbatosh atë vendim. Ky është defekti i kolegëve tanë, ky është defekti ynë, që ne nuk arrijmë dot të suportojmë mendimin ndryshe që kemi në raport me një vendim politik që merr një strukturë e caktuar. Prandaj po them që nuk po shikoj ndonjë gjë interesante nga kolegët e mi që kanë dalë poshtë në bazë dhe kërkojnë demokraci, nuk po shikoj ndonjë gjë racionale dhe për të cilën të them se këtu ke të drejtë. Edhe ne të tjerët mund të kemi vërejtje për lidershipin socialist, për veten tonë, për grupin parlamentar, për Asamblenë e të gjitha me radhë, absolutisht dhe kjo nuk mund të thotë kush që mos bëj vërejtje. Por nëse unë i kam këto vërejtje, unë duhet t’i bëj ato atje ku jam i zgjedhur, unë nuk mund të shkoj në çdo rreth të mbledh njerëz për t’u thënë këto gjëra. Pse? Kush të ka penguar të drejtën për të folur në strukturat e partisë, absolutisht asnjë njeri. Ne jemi parti shumë e hapur, gjë që e kemi treguar me një liri shumë të tepruar.
Ju përmendët lirinë si element të demokracisë, por pikërisht kjo është bërë objekt debati ditët e fundit mes këtyre elementëve dhe kryetarit të partisë...
Ky është absurditeti më i madh. Në qoftë se ka liri me tepricë, më shumë se ç’duhet, ka te PS-ja dhe nuk ka te PD-ja. Vetëm këtu, në këtë pikë ata janë deficitarë me ne.
Në rast se nuk arrihet ky demokratizim, ata nuk përjashtojnë mundësinë e krijimit të një partie të re….
Unë nuk kuptoj çfarë kanë kërkuar njëherë. Se jam një nga anëtarët e grupit të ndryshimeve në statut dhe s’kam parë ndonjë kërkesë në këtë drejtim. Nuk mund ta paragjykoj dhe nuk mund të them që për inat se ti duhet të thuash kështu dhe unë nuk të dëgjoj, ti duhet të krijosh një parti të re. Unë i shikoj brenda PS-së këta njerëz, nuk i shikoj jashtë, sepse kanë dhënë dhe kanë kapitalet e tyre në këtë parti. Është mëkat t’i zerosh kapitalet e tua. Të paktën për mikun tim Malaj, që kam një kohë të gjatë që e kam mik e shok, pasi kemi qenë bashkë ministra në qeveri të ndryshme socialiste, do ta quaja humbje kohe dhe absurditet që të zeronte këto kapitale që i ka hedhur me mund e me djersë, ka sakrifikuar edhe nga jeta e tij personale për PS-në, për të krijuar një parti tjetër. Nuk e mendoj dhe nuk mundem dot ta besoj një veprim të tillë. Gjithsesi, kjo është një çështje që do të shihet në vazhdimësi.
I shikoni të zgjedhur në forumet e reja të PS-së?
Ata janë, për shkak të pozicionit që kanë.
E kam fjalën për Kryesinë, në Sekretariat, apo në pozicione të tjera….
Në kryesi as unë nuk jam. Por kjo nuk do të thotë që unë duhet të jem i mërzitur me kryetarin Rama apo me anëtarët e tjerë të kryesisë. Pse duhet të jem i mërzitur unë me Arben Malajn që është anëtar kryesie, duhet të jem i mërzitur me Andisin apo me Ruçin që janë anëtarë kryesie...Unë s’jam i mërzitur që kam ikur nga Kryesia, pasi jam pjesë e PS-së. Kam qenë në kryesi, kam ikur, këto lëvizje janë normale. Kështu i bie që kushdo që ikën nga një strukturë partie e caktuar, të mërzitet dhe të krijojë një parti tjetër. Kjo nuk më duket normale. Jemi në atë parti dhe kemi bashkuar forcat për të fituar. Nuk jemi në atë parti për të marrë ofiqe dhe për të qenë të pavdekshëm anëtarë të kryesisë së PS. Unë nuk e shikoj kështu. Pavarësisht nëse zgjidhesh apo jo në kryesi, prapë një deputet është tepër i rëndësishëm, se është anëtar i Asamblesë dhe pjesë e grupit. Mua nuk më duket ndonjë hata e madhe nëse je apo jo anëtar kryesie.