Edi Rama: Pesë pikat e programit të ri të PS, do votohet në Kongres
Lideri i opozitës u përgjigjet në editorialin javor kritikëve për mungesën e një programi. Sipas tij, programi i ri i Partisë Socialiste bazohet në 5 fusha, duke paraqitur alternativat e forcës politike që ai përfaqëson mbi sistemin fiskal, fshatin, shëndetësinë, arsimin dhe rendin e sigurinë publike
Tiranë Lideri i opozitës, Edi Rama u përgjigjet kritikave për mungesën e një programi të Partisë Socialiste, duke paralajmëruar prezantimin e tij në Kongresin e 5 nëntorit. Në editorialin javor, të kthyer tashmë në traditë, Edi Rama thotë se PS-ja ka sot gati një program bazë, që do t’i paraqitet për miratim Kongresit. “E vërteta është se ne e kishim një program në 2009-ën, të hartuar si asnjëherë më parë nga një parti opozitare, në dialog me qytetarët e në bashkëpunim me një duzinë ekspertësh të nivelit më të lartë ndërkombëtar. E kemi edhe sot gati një program bazë, të rishikuar mbi çka ka ndodhur në dy vjet në Shqipëri, dhe do t’ia paraqesim Kongresit për miratim sot një javë. Do ta kemi përsëri një program të plotë qeverisës në zgjedhjet e ardhshme. Pjesë të programit tonë të rishikuar kemi nisur t’i artikulojmë, konkretisht në nismat tona parlamentare”, -shkruan lideri i opozitës. Sipas tij, programi i ri i Partisë Socialiste bazohet në 5 fusha, duke paraqitur alternativat e forcës politike që ai përfaqëson mbi sistemin fiskal, fshatin, shëndetësinë, arsimin dhe rendin e sigurinë publike. Duke komentuar jehonën mediatike rreth opozitës, Edi Rama parashikon se as Kongresi e as programi bazë i PS-së nuk do të përbëjnë lajm në këtë debat të etiketuar prej tij me fjalët “e lagu, s’e lagu” e ku opozita akuzohet rëndom si përgjegjëse për keqqeverisjen e vendit. “Por, faktikisht ka qenë e do jetë kështu edhe për kushedi sa kohë, që kur ne flasim e flasim për heqjen e TVSH-së së bukës, vezëve, qumështit a ilaçeve, për uljen e TVSH-së së dritave nga 20% në 6%, ose për zerimin e TVSH-së së imputeve bujqësore, kjo nuk përbën lajm. Pavarësisht se këtu bëhet fjalë për një qasje qartësisht alternative në funksion të lehtësimit të sadopaktë të çdo familjeje shqiptare, komenti mbetet, PS s’po thotë asgjë për ekonominë”, - shkruan në editorialin e tij kreu i PS-së. Ai shton se 5 fushat e programit bazë të PS-së shpalosin qasjen radikalisht të ndryshme të saj në raport me pushtetin e sotëm. Rama i është rikthyer zgjedhjeve të 2009-ës dhe atyre lokale, duke përsëritur se PS-ja nuk humbi se nuk kishte program, por se “zgjedhjet u vodhën”. “Edhe në 2009 në Shqipëri, edhe në 2011 në Tiranë. Ndërkohë që s’duhet harruar po ashtu, zgjedhjet e 8 majit ne i fituam si kurrë më parë në gjithë Shqipërinë që paguan taksa e që ka më shumë interes të dëgjojë programe e vlerësojë alternativa; ku prekja e votës nuk ndryshoi rezultatin”, - shton ai. Sikurse e ka thënë edhe më parë, Rama ka përsëritur se frustracioni prej keqqeverisjes kthehet në mllef a pakënaqësi ndaj opozitës. “Ne s’kemi shkop magjik. Ne s’kemi as armë, as gurë. S’kemi as mandat për të vënë dorë mbi plagët e vendit, sepse jemi në opozitë, jo në qeveri. Ne kemi vetëm fjalën për ata që kanë veshë e dëshirë të dëgjojnë idetë, pikëpamjet, argumentet tona. Dhe kemi të gjithë pasionin politik për të bërë realitet një rilindje shqiptare në rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa. Me kthjelltësi, vullnet, durim e mbi të gjitha patriotizëm e qytetari”, - përfundon editoriali i Edi Ramës.