E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cesena teston Fejzullahun

Futbollisti i ri shqiptar nga Tërnovci, Arbnor Fejzullahu mund ta bëjë një hap të madh në karrierën gjatë afatit kalimtar të janarit. Mbrojtësi shtatlartë i Besës së Kavajës karrierën mund ta vazhdojë në Serie A.

18 vjeçari ka rënë në sytë e skautëve të skuadrës italiane Cesena, për të cilin ekip luan edhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Erion Bogdani. Fejzullahu shumë shpejt pritet t’i bashkohet këtij ekipi, kur fillimisht do të testohet e më pas anëtarët e shtabit teknik të këtij klubi do të vendosin për ta mbajtur apo jo në skuadrën e tyre.

Fejzullahu ka shpërthyer kohëve të fundit. Ai është bërë njëri prej lojtarëve kyç të Besës së Kavajës në këtë edicion, me ç’rast nga përfaqësuesja U-19 është ngjitur në reprezentacionin U-21 të Shqipërisë.

Nëse Fejzullahu ia del t’i kryejë me sukses provat në ekipin italian, atëherë trajneri i ekipit kavajas, Gugash Maganin, do të mbetet pa njërën prej armëve kryesore të tij. Mirëpo, ‘ngushëllim’ për të do të mund të konsiderohej fakti se mbrojtësi kosovar Alban Dragusha i është rikthyer Besës së Kavajës, pas një edicioni të dështuar që e pati në ekipin suedez Kalmar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›