E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firencia dhe Amerika sipas Xhovalin Delisë

Artisti shqiptar me një ekspozitë personale dhe me romanin e dytë

Piktoris shqiptar që prej vitesh jeton në Firence, prezantohet me një ekspozitë personale më 12 prill. "Delia's style" (stili i Delisë) vjen në Ken's Art Gallery, galeri në Firence dhe punët e kësaj paraqitjeje kanë një vështrim të qytetit sipas artistit shqiptar. Në këtë ekspozitë ashtu edhe në roman ndihen referencat ndaj 11 shtatorit 2001, dita kur Amerika u përfshi në një tragjedi e shkaktuar nga dora e njeriut.


Shumë shpejt Delia prezanton edhe librin "God Bless America" (Zoti bekoftë Amerikën) që është e dyta vepër e tij pas "Venere", botuar të dyja në Shqipëri nga "Dituria".

"Në kërkim të ekuilibrit ndërmjet të kundërtave, në një rikonstruksion historik sintetik, me një gjuhë larg politically correct, romani guxon të "shenjtërojë" të Mirën, Dashurinë e Paqen.

Pa hyjnizuar të Keqen, Urrejtjen e as Imoralen, demaskon, mirësinë, moralizmin e pacifizmin dhe, duke gërrmuar në labirintet më të errëta të njeriut, bash në atë postmodern, të pasuruar, superteknologjik e të sofistikuar, "zbulon" Boshin moral e shpirtëror.", thuhet në prezantimin on line që i bëhet romanit.


Xhovalin Delia i lindur më 1959, u formua si piktor në Akademinë e Arteve. Më 1985 angazhohet në kinema dhe në Kinostudion "Shqipëria e Re" realizon disa filma vizatimorë si regjisor e piktor, një prej të cilëve "Kush e meriton" (Çmimi III në Filmfest IV). Krahas pjesëmarrjes në festivale kombëtarë e ndërkombëtarë filmi, regjisori-piktor paraqitet edhe në ekspozita kolektive e vetjake.


Pas nëntëdhjetës Fierencja u bë qyteti ku ai jeton deri më sot "duke pikturuar, mediton duke shkruar e zbavitet duke filmuar", siç e përshkruan ai veten në shënimin e tij të shkurtër autobiografik.


-----------------------------------------------------------------------------------------

Ministria e Kulturës lidh pensione


Regjisorë, aktorë ose ish-regjisorë apo ish-aktorë, marrin pension të veçantë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në ceremoninë e organizuar dje në këtë ministri, ministri i ri, Ardjan Turku u dorëzoi çertifikatën e Shtesës së Pensionit të Posaçëm 12 indivdiëve që u njihet kontributi në jo vetëm në kulturë dhe arte, po edhe në sporte.

Ministri Turku falënderoi pjesëmarrësit dhe vlerësoi "kontributin e këtyre emrave të njohur të cilët me punën e tyre kanë çuar para zhvillimin e kulturës, artit, sportit etj." Me vendim të Këshillit të Ministrave shtesë të pensionit të posaçëm përfituan Hektor Çoçoli (mjek), Munir Karagjozi (mjek), Skënder Çiço (mjek),


Agim Gjakova (shkrimtar), Saimir Kumbaro (regjisor), Fatmir Frashëri (sportist, trajner), Ismet Bellova (sportist, komentator), Skënder Plasari (paraqitet si artist në përgjithësi dhe si sportist kur ai njihet më së shumti për kontributin në kinema dhe në pedagogji), Sheri Mita (i paraqitur nga MTKRS si regjisor, kur Mita njihet pak më shumë si aktor), Ramazan Bogdani (studiues i folklorit), Sabri Peqini (sportist, trajner)
dhe Mirush Deliallisi (sportist, trajner).

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›