PS: 500 mijë votues, s'kanë para të paguajnë kartën
PS kërkon shpërndarjen falas të kartave. Këtij qëndrimi i bashkohet edhe PDK
TIRANË- Partia Socialiste jep alarmin se ritmet me të cilën ka ecur deri tani procesi i paisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike rrezikon të lërë pa votuar afro 500 mijë shqiptar.
Ka qënë sekretari socialist për çështjet organizative Blendi Klosi, ai që duke bërë një pasqyrim të plotë të këtij procesi, që nga momenti i miratimit të kontratës nga Kuvendi gati një vit më parë e deri tani, ka paralajmëruar se situata për shkak të politikës së gabuar të ndjekur nga qeveria është tërësisht jashtë kontrollit, ç'ka, sipas tij, pritet të sjellë për pasojë që të gjithë ata shqiptarë që s'kanë mundësi ta blejnë një kartë të tillë, do të mbeten pa votuar. Kjo sipas tij është një mohim i të drejtës kushtetuese për të votuar dhe për të zgjedhur.
"Si mundet ta pranojë një vend i aleancës së NATO-s një vend në familjen evropiane, që 500.000 votues mund të mos votojnë se nuk kanë para për të paguar taksën e votës, që u kërkon taksambledhësi Sali Berisha", - tha Klosi në fjalën e vet gjatë seancës parlamentare, duke i bërë njëkohësisht thirrje qeverisë, që të miratojë projektligjin e paraqitur prej opozitës, për ti dhënë mundësinë të gjithë atyre shqiptarëve pa pasaportë, që do të aplikojnë për kartë deri para zgjedhjeve ta marrin atë falas.
Sipas tij, janë pikërisht aferat korruptive që përfshijnë lidhjen e kontratës mes qeverisë dhe kompanisë "Sagem" ato që detyrojnë mazhorancën e sotme të heshtë dhe të mos ketë mundësi që të detyrojë këtë kompani që të zbatojë marrëveshjen me përpikmëri për të rritur efektivitetin e procesit.
"Paratë e korrupsionit të përfituara haptazi në procesin tenderues e kanë bllokuar plotësisht qeverinë e Sali Berishës të ushtrojë detyrimin ligjor për kontrollin e përmbushjes së çdo detyrimi kontraktor nga Kompania Zbatuese e këtij procesi koncesionar, të paguar 100 % nga qytetarët shqiptar që po blejnë shumë shtrenjtë dhe me shumë andralla këtë shërbim normal për një vend anëtar të NATO-s", - tha më tej Klosi, i cili njëkohësisht ka renditur dhe një sërë shkeljesh të detyrimeve që lindin prej kontratës së lidhur për kartat.
Ndërkohë që thirrjes së socialistëve për karta falas i janë bashkuar dje edhe deputetët e LSI-së dhe PDK-së, që i kanë kërkuar qeverisë që të marrë parasysh këtë propozim.