Ndërtuesit, kundër licencave të qeverisë
Sipas ndërtuesve, disa firma që kanë punuar vetëm këto katër vite, janë të favorizuara nga qeveria
Shoqata e Ndërtuesve e konsiderohen rregulloren e re për marrjen e licencave, si klienteliste dhe diskriminuese
TIRANË- Ndërtuesit kundërshtojnë rregulloren që Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka miratuar me qëllim standardizimin e procedurave të dhënies së licencave.
"Rreth 1000 kompani ndërtimi nuk kanë mundur të marrin licence për kategorinë e punëve që ato kryejnë, për shkak të konfuzionit më rregulloren e licencimit, të miratuar nga MPPTT-ja",- tha dje gjatë një konference për shtyp, Maksim Muçi, Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë. Sipas tij, në vend që të vendosë rregull midis kompanive të ndërtimit, kjo rregullore po bën të kundërtën, duke shkaktuar paqartësi midis tyre.
Në rregulloren e re përcaktohet se, kusht për lëshimin e licencës për një kompani ndërtimi, është marrja në shqyrtim e eksperiencës së saj gjatë katër viteve të fundit. Sipas SHNSH-së, kjo është një praktikë e gabuar, pasi në këtë formë do të penalizoheshin kompani, të cilat për arsye të ndryshme, nuk kanë kryer aktivitet gjatë këtyre katër viteve.
"Sot, ka kompani që ushtrojnë aktivitet prej më shumë se 10 vitesh në vend, dhe klasifikohen me këtë rregullore si të nivelit fillestar. Ky zhvlerësim i kompanive na bën të dyshojmë për qëllime klienteliste, për të marrë në mbrojtje kompani të krijuara rishtazi, por që janë furnizuar me fonde publike në këto katër vitet e fundit", -tha Muçi.
Klasifikimi
Në bazë të rregullores së MPPTT-së, kompanitë ndahen në shtatë nivele klasifikimi, duke filluar nga shkalla A deri në G, sipas vlerës së punimeve të kryera.
Kompanitë që kanë kryer punime me një vlerë deri në 20 milionë lekë në katër vitet e fundit, konsiderohen fillestare dhe grupohen në nivelin A. Të nivelit B, cilësohen ato kompani që kanë kryer punime me vlerë nga 21 milionë deri në 50 milionë lekë, ndërsa në nivelin C hyjnë kompanitë, vlera e punimeve e të cilave varion nga 51 milionë deri në 100 milionë lekë.
Kompanitë që kanë kryer punime me vlerë nga 101 deri në 200 milionë lekë, kategorizohen si të nivelit D, ndërsa të nivelit E, cilësohen kompanitë që vlera e punimeve varion nga 201 milionë deri në 400 milionë lekë, katër vitet e fundit. Kompanitë që kanë nga 401 milionë deri në 800 milionë lekë punime, konsiderohen si të nivelit F, ndërsa ato që gjatë këtyre katër viteve kanë kryer një volum punimesh me vlerë mbi 800 milionë lekë, cilësohen si më me eksperiencë dhe kategorizohen në nivelin G.
Këtu qëndron edhe problemi që ndërtuesit kanë me rregulloren, pasi sipas tyre, ka kompani të cilat kanë një eksperiencë minimale, por të mbështetura me fonde gjatë viteve të fundit, janë cilësuar si të nivelit F, ndërsa shumë kompani që kanë eksperiencë mbi 10-vjeçare, kategorizohen si të nivelit fillestar. "Kjo tregon një mungesë serioziteti dhe vlerësimi për investimet e mëdha njerëzore dhe materiale që këto kompani kanë bërë për të ngritur emrin e tyre.
Vërejmë re me keqardhje se, prej kohësh, ekziston tendenca për të penguar kompanitë e ndërtimit në një zhvillim konkurrues dhe transparent, duke i vënë pengesa artificiale",- tha Kryetari i SHNSH-së.
--------------------------------------------------------------------------------------
Ndërtimi, paketë për kapërcimin e krizës
Prej disa muajsh, ndërtuesit i kanë paraqitur qeverisë një plan konkret për të përballuar efektet e krizës
TIRANË- Kjo është hera e tretë që brenda pak muajsh, shoqëritë ndërtuese në vend, i janë drejtuar me kërkesa të qarta qeverisë, duke kërkuar zgjidhje nga ajo.
Të përballur me uljen në maksimum të numrit të lejeve të ndërtimit, ata i kanë kërkuar qeverisë, në fillim të këtij viti, përshpejtimin e procedurave të miratimit të planeve rregulluese të qyteteve dhe të ligjit për urbanistikën, duke bërë të mundur zhbllokimin e lejeve për të krijuar një mbarëvajtje normale të këtij tregu.
Ata, gjithashtu, kanë kërkuar nga qeveria edhe rishikimin e ligjit të prokurimeve publike, i cili, sipas tyre, në formën që është tani, sjell pengesa të mëdha për shoqëritë gjatë procesit të tenderëve.
Sipas SHNSH-së, duhet bërë e mundur që një kompani pjesëmarrëse në një tender, të mund t'i paraqesë të dhënat që kanë të bëjnë me zhvillimin e tij, duke i përmbledhur në një dokument të vetëm. Ulja e normës së TVSH-së për mallrat e ndërtimit, ka qenë një kërkesë tjetër e ndërtuesve ndaj qeverisë. "Të ulet norma e TVSH-së.
Ka ardhur koha të bëhet diferencimi i TVSH-së, duke e ulur atë për mallrat jetike të konsumit të gjerë e ndërtimin dhe duke e rritur për mallrat e luksit, për mallrat që dëmtojnë shëndetin dhe ndotin ambientin",- theksoi disa javë më parë, kreu i SHNSH-së, Maksim Muçi.
Ndërtuesit, gjithashtu, kanë kërkuar vazhdimisht nga qeveria shfuqizimin e akteve nënligjorë, që lidhen me pagat referuese, manualet e preventimit të ndërtimit, çmimet e referencës, etj. Një nga kërkesat e vazhdueshme të tyre ka qenë edhe ndërhyrja e qeverisë për dhënien fund të ndërtimeve informale në mbarë vendin. Sipas tyre, suksesi i këtij procesi do të gjallëronte tregun e pasurive të patundshme, duke stimuluar rritjen e ekonomisë.