Shpëtim Saraçi: Qëllimi i Festivalit të jetë muzika e mirë, interpretimi live dhe jo ‘Eurosongu’
Festivali i 50-të në Radio Televizionin Shqiptar, që zhvillohet nga data 26-29 dhjetor, do të jetë një festival ku e shkuara dhe e tashmja do të sjellin këngët më të mira shqiptare. Njëra prej tyre, në fund të katër netëve do të ketë radhën të përfaqësohet në Festivalin Europian. Po kush janë pretendentët?
Një mbrëmje Gala, 100% live, shumë të ftuar, skenografi plot ngjyra e drita, ku e shkuara dhe e tashmja do të jenë bashkë. Ky është Festivali i 50-të i Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, një jubile që ka ngritur në këmbë gjithë stafin realizues që kërkon të sjellë në këtë përvjetor atë që publiku s’e ka parë në këto 49 vjet festival. Së pari dhe më e rëndësishmja është punuar që festivali të jetë 100% live, siç dhe premton udhëheqësi artistik, Shpëtim Saraçi. Mes dyshimeve që vijnë nga e kaluara se të kënduarit live ishte thjesht një iluzion në Festivalin e 50-të të RTSH-së, Saraçi shprehet me germa të mëdha se festivali do të jetë i gjithi live. “Këtë herë është 100% live, këtë e them me germa të mëdha. Do të jetë muzikë e gjallë. Do të jenë 28 këngë që shoqërohen nga 53 instrumentistë, përfshirë edhe back vokalistët, kemi në dispozicion shërbimet e 5 dirigjentëve. Teknikisht jemi mbështetur nga një firmë shqiptare dhe dy teknikë italianë tepër të njohur. Po bëhen prova përditë, me një ritëm të jashtëzakonshëm”, - jep garancinë e tij Shpëtim Saraçi. Po aq është folur edhe për rikthimet e atyre që në shqip mund të quhen “Të mëdhenjtë” e skenës, apo BIG-ët në anglishten tonë vend e pa vend në bashkëbisedimin e përditshëm, nejse, rikthimi i tyre në skenë iu faturua dëshirës së vjetër për të pasur mundësinë që një herë të vetme në karrierë të ngjiten në skenën e një Festivali Europian e të këndojnë live. Por mbi këtë argument të natyrshëm të këngëtarëve të rikthyer, Saraçi ka një shpjegim krejt tjetër. “Ajo çka unë kam ndierë është një nostalgji për festivalin, për traditën e tij 50-vjeçare, për t’u rikthyer dhe për të dhënë më të mirën. Nuk është thjesht për faktin që po bëhet live.” Por nëse një vit më parë u synua për të dalë disi nga tradita e festivalit dhe u tentua për ta futur Festivalin e RTSH-së në shinat e një festivali modern duke sjellë edhe muzikë alternative, në këtë përvjetor festivali do të mbahet fort tek tradita. “Kemi pak nga të gjitha, por sigurisht edhe interpretimi live bën që të spikasin disa gjini që janë më të përshtatshme për këtë lloj interpretimi. Muzika dance nuk është aq e përshtatshme për t’u luajtur live, pasi përgjithësisht luhet nga DJ, si dhe muzika hip-hop apo R&B, pavarësisht se ne kemi përfaqësues shumë të mirë të këtyre rrymave, siç është Dr. Flori, që ka një këngë shumë të fortë. E mora këtë shembull për të treguar se nuk ka stepje ndaj interpretimit live. Në festival ka emra të rinj, të vjetër apo të mesëm, që kanë marrë pjesë në festivalet e shkuara dhe janë prezentë në shumë aktivitete. Kjo lloj larmie më rri shumë komode, sepse bën që festivali të ketë larmi ngjyrash. Dhe duke pasur një kolorit kaq të pasur mund të ketë edhe interes më mbrapa”, - thotë udhëheqësi artistik, Shpëtim Saraçi. Por kur vjen fjala për të bërë një listim të këngëve pretendente për çmimin e madh e për rrjedhojë dhe për skenën e ‘Eurosong’-ut, Saraçi rikthehet natyrshëm në rolin e udhëheqësit artistik të Festivalit të RTSH-së. “Ka disa këngë të mira, nuk mund të them emra, pasi janë shijet e mia personale dhe këtë nuk e diskutoj me njeri. Nuk kam dëshirë të ndikoj në përzgjedhjen e jurisë. Qëllimi im është të merrem vetëm me anën profesionale të festivalit, t’u vihem në shërbim të gjithë artistëve që marrin pjesë, këngëtarëve, krijuesve, orkestruesve etj., dhe të bëj më të mirën për të ndihmuar në rritjen e standardit nga viti në vit. Nëse ne do të bëjmë më të mirën, duke kthyer standardin më të mirë që ka pasur dikur festivali, mendoj se ky aktivitet do të marrë të tjera vlera”. Por mos ndoshta kompozitorët dhe këngëtarët pjesëmarrës në Festivalin e RTSH-së janë të ndikuar më shumë seç duhet nga dëshira e madhe për të qenë të paktën një herë fitues në ‘Eurosong’, çka sjell një çoroditje në atë që mund të etiketohet si këngë me ritme shqiptare? “Ky është një perceptim shumë i drejtë”, - pohon Saraçi i cili ka qenë shpesh në krah të atyre që kanë këmbëngulur që festivali i RTSH-së të kishte koloritin e vet dhe të mos ishte i ndikuar shumë nga pjesëmarrja në Festivalin Europian. “Megjithatë, nuk mendoj se ‘Eurosong’ e pengon festivalin. Madje mendoj që dalëngadalë ne t’u afrohemi standardeve ndërkombëtare të muzikës dhe të konkurrimit atje dhe të kuptojmë shumë mirë që kemi vite përpara për të arritur në standardin e Europian-it. Kjo është normale, sepse tek e fundit, ne kemi pasur një shkëputje 40-vjeçare nga muzika botërore dhe befas u lirua gjithçka dhe nuk u hap një rubinet, por një ujëvarë e tërë që mori me vete ç’gjeti përpara e shtriu përdhe ndokënd. Tashmë është koha që ne të ecim dalëngadalë për të kapur këtë vrap të domosdoshëm. Në Festivalin Europian, ne dërgojmë një përfaqësues, por unë nuk mendoj që ai duhet të jetë qëllimi bazë i festivalit tonë. Ky qëllim duhet të jetë muzika e mirë, interpretimi live dhe dhënia e emocioneve reale në skenë. Kjo mendoj se do i japë një vlerë të veçantë festivalit”.
Si do të përzgjidhen këngët më të mira ndër vite
Këngët më të mira janë nderuar thuajse në më të shumtën e rasteve me çmime të dyta, aq shpesh ka ndodhur kjo, saqë tashmë çmimi i dytë është kthyer në një batutë mes këngëtarëve. Edhe udhëheqësi artistik, Shpëtim Saraçi bie dakord me këtë, aq më tepër që këto kohë i është dashur të gërmojë nëpër akrivët e Radio-Televizionit Shqiptar në kërkim të 26 këngëve më të mira ndër vite, që do të ngjiten në skenën e Festivalit të 50-të në RTSH si një mbrëmje Gala e një rrugëtimi të gjatë të këngës së lehtë shqiptare. “Tashmë ato u përkasin festivaleve dhe nuk mund të gjykojmë se ç’ka ndodhur me çmimet. Jemi detyruar të mbledhim një komision profesional, i cili përzgjodhi 26 këngët që do të ngjiten në skenë natën e tretë. Do të jenë me regjistrim. Të gjithë artistët do të jenë në skenë atë natë. Është konceptuar tërësisht ndryshe nga netët e tjera të festivalit. Kemi menduar një këngë për çdo kompozitor, pasi ka nga ata që e kanë fituar më shumë se njëherë çmimin e parë. Një prej tyre jam edhe unë, por zgjodhëm vetëm një këngë. Por do të jetë një kënaqësi e veçantë ajo natë. Ka qenë një propozim i drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së, z. Petrit Beci për të kujtuar këngët më të mira të festivaleve tona. Praktikisht ka qenë shumë e vështirë, sepse kemi 49 këngë fituese dhe t’i këndosh të gjitha në të njëjtën natë shkon shumë gjatë, prandaj vendosëm një këngë për çdo kompozitor fitues. Ky ka shërbyer si kriter për përzgjedhjen e 26 këngëve”.
Aida Tuci