E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fis Berisha

Share

Nga Mero Baze

Dita e djeshme ishte një ditë sikleti për këdo që është anëtar i PD-së, apo më keq i forumeve të saj. Kundërshtarët e tyre socialistë janë duke zhvilluar Kongresin e tyre të radhës dy vjet pas Kongresit të vitit 2009. Kjo ngjarje në jetën e partisë kundërshtare mund të jetë objekt debati për këdo në Shqipëri, sidomos për socialistët, por është një ngjarje e sikletshme për demokratët, dhe sidomos të emëruarit e tyre në krye të Partisë. Në një situatë të pazakontë juridike, administrative dhe natyrisht dhe politike, ajo parti drejtohet ende nga struktura të zgjedhura në Kuvendin e Prillit 2005, pra gati 7 vite më parë. Për 7 vite rresht Sali Berisha arriti pa asnjë vështirësi dhe rezistencë nga brenda partisë, të shkelë statutin juridik të asaj partie dhe të mos bëjë më zgjedhje brenda saj. Për 7 vite rresht, nuk kemi ende një lidership të ri të PD-së dhe asnjë integrim në PD të njerëzve që Berisha riafroi. Fraksioni Pollo- Shehu u mjaftua me disa copa që Berisha u ndau nga pushteti, rebeli Arben Imami, që shkatërroi ushtrinë e Safet Zhulalit, tashmë e ka dekoruar Zhulalin dhe po merret me privatizimin e reparteve ushtarake, ata që mendonin paksa ndryshe nga Berisha, janë larguar nga partia, ndërsa skalioni i sigurt i eunukëve të tij po mbahet me shpresa se nuk do të preket, duke mos u bërë kurrë zgjedhje në parti. Me këtë shkelje flagrante të rregullave juridike të kësaj partie, dhe mbi të gjitha me këtë kulturë politike që po ngulit brenda partisë në pushtet, Sali Berisha në të vërtetë po demonstron modelin se si po qeveris.

Njësoj si në parti ku ai nuk respekton statutin juridik të saj, i detyrueshëm nga Gjykata, ashtu dhe në qeveri ai drejton vendin duke shkelur ligjet dhe bile Kushtetutën për të favorizuar Pushtetin e Familjes. Ashtu si në parti, ku parimi i unitetit funksionon si ndarje shpërblimesh, ashtu dhe në qeveri ai arrin të sigurojë shumicën e numrave në Kuvend, duke shpërblyer deputetët aleatë me pasuritë kombëtare të shqiptarëve. Ashtu si në parti ku njerëz eunukë me çelësa në qafë ruajnë partinë se mos hyn dikush brenda pa leje, ashtu dhe në pushtetin e tij ekzekutiv, njerëz të Familjes komandojnë çdo kapilar të pushtetit duke mos lejuar askënd të sundojë pa leje.

Pra, kultura politike që mbretëron në funksionimin e PD-së sot nuk është problem partiak, por problem kombëtar, pasi është kthyer në model qeverisjeje.

Kjo është arsyeja që dita e djeshme ishte një ditë e sikletshme për demokratët, të cilëve së paku u kujtohet fakti se ende kanë në krye të partisë njerëz që i kanë zgjedhur në vitin 2005.

Por Sali Berisha edhe dje foli. I shqetësuar se modeli i kundërshtarit shkakton trazime brenda PD-së dhe ngjall orekse nga njerëz të pakënaqur, ai foli dhe dje duke sulmuar paraprakisht atë që do flitet dhe do bëhet në Kongresin e partisë opozitare, i cili respekton pikë më pikë afatet dhe statutin e partisë që kanë miratuar së bashku. Duke futur në lojë zhurmuesit e vet brenda opozitës, tek të cilët ka varur shpresat të riciklojë energjitë e shuara të LSI për zgjedhjet e ardhshme, dhe duke u përpjekur të demonizojë opozitën, Berisha nuk pati turp dhe foli dhe dje. Në vend që të fshihej nga ekranet dhe të bënte sikur nuk e kish mendjen se partia kundërshtare po bënte zgjedhje dhe po respektonte statutin e saj, ai foli me shpresë se shqiptarët do besojnë broçkullat e tij në vend të asaj që ata shikojnë.

Por mbi të gjitha Berisha po përpiqet të përfitojë nga një fenomen i shëmtuar që ka arritur të bëhet sundues në medien shqiptare dhe opinionin publik. Të gjithë duket sikur kanë rënë dakord, që Berishës nuk i duhet kërkuar llogari për Kuvendin e Partisë së tij, për respektimin e statutit të partisë së tij apo rregullat e lojës brenda partisë së tij. Duke e pranuar ca duke qeshur, ca duke shkelur syrin dhe ca serioz se ajo është parti e Familjes, të gjithë bëjnë sikur kjo është një fatkeqësi që duhet marrë e mirëqenë dhe gjithë ditën tentojnë të merren me palën tjetër, që bën zgjedhje, bën Kongrese dhe lë hapësirë për debat më shumë se sa meritojnë shpesh idetë shterpë të debatuesve. Duke fituar imunitetin e monarkut që nuk pyet më për rregulla në partinë etj, Berisha nuk po gjykohet me arsyetimin se ai kështu dëmton vetëm demokracinë në partinë e tij. Ky është një gabim i madh. Shumica e dramave në këtë vend këto 20 vite, dhe mbi të gjitha mungesa e madhe e vlerave në krye të qeverisjes, vjen mes të tjerash nga fakti se brenda partisë që qeveris nuk ka garë dhe vendi drejtohet nga eunukë që përzgjidhen nga kriteri që të mos jenë ministra, por të marrin rrogën si të tillë. Të gjithë e mbajmë mend cinizmin e Sali Berishës, kur u pyet dy vite më parë për një ministër të sëmurë fizikisht, që e vuri ministër. Përgjigja e tij se Ministri nuk do merrej me drejtësinë, por vetëm me burgjet se i njeh mirë policët, tregon qartë se përse i duhen atij njeriu kukullat që emëron në krye të vendit. Ata që mendojnë se problemi i shkeljeve të forta ligjore të statutit të PD-së është problem i PD-së, gabojnë, pasi kjo kulturë politike ka prodhuara arbitraritet në qeverisje dhe kë bërë që i biri i kryeministrit të prodhojë një kuadër ligjor për të bërë një fabrikë demontimi që vrau 26 vetë. Kjo kulturë politike e mos respektimit të ligjit ka bërë që kryeministri të vrasë pa ju dridhur dora 4 protestues vetëm pse i prishën gjakun para zyrës së tij dhe të lërë jetimë dhjetë fëmijë. Kjo kulturë politike e mosrespektimit të ligjit ka bërë që kryeministri ti konsiderojë gjykatat vartëse të vetat, dhe të mbyllë me to çdo lloj skandali financiar që shkon deri 200 milion euro, çdo vrasje masive deri në 26 vetë, çdo shfaqje publike të hajdutëve të qeverisë, që flasin në video-skandale për miliona dollarë brenda pak minutave. Kjo kulturë politike, e krijuar nga mungesa e rregullave në partinë qeverisëse, është në të vërtetë me pasoja për qytetarët shqiptarë më shumë se sa për ofiqarët e PD-së, të cilët e kanë marrë nga një kockë dhe lëpijnë atë duke ju gëzuar statu-quo-së. Dje ishte dita kur ata duhet të heshtnin dhe që shqiptarët ti turpëronin duke ju kujtuar se ata duhet të sillen si institucion dhe jo si Fis Berisha, zbritur në Tiranë. Por ata u sollën si njerëz fisi dhe folën për të fyer ata që sillen si institucion. Kjo është dhe diferenca reale mes politikës fisnore që demonstron Berisha dhe kulturës politike që demonstrojnë kundërshtarët e tij.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›