E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fischer: Të rishikohet historia e Shqipërisë

Studiuesi i njohur i historisë shqiptare, Bernd Fischer, profesor dhe shef i Departamentit të Historisë në University-Fort Wayne në Indiana, në SHBA, ndërhyn në debatin për pozicionin e turqve në Ballkan dhe në Shqipëri.

Sipas tij, historia e Shqipërisë duhet riparë që nga periudha osmane e deri tek figura e Enver Hoxhës. Për këtë të fundit, Fischer thotë se po shkruan një libër.

“Absolutisht që po, dhe unë vetë jam duke e bërë këtë në vitet e ardhshme. Jam duke shkruar një libër për Enver Hoxhën, bashkë me dy bashkëpunëtorë të mi, zotin Biberaj dhe zotin Pano. Unë mendoj se rivlerësimi i historisë është mjaft i rëndësishëm, pasi vetë historia është një proces në vazhdimësi. Gjithmonë u them studentëve të mi që të mos e shohin historinë si Ungjilli apo Bibla, të dhënë dhe të shkruar njëherë e mirë. Ne që e shkruajmë historinë, shpresojmë se ajo që bëjmë është një kontribut mbi të cilin të tjerët mund të ndërtojnë diçka tjetër. Unë e kuptoj që çështja e Enver Hoxhës është akoma e vështirë për shqiptarët, por absolutisht mendoj se është koha për rivlerësimin e regjimit të tij”, ka thënë ai për Zërin e Amerikës.

Ditët e fundit ka pasur teza nga një ministër turk, sipas të cilit turqit në Ballkan dhe në Shqipëri nuk ishin pushtues, por administratorë. Si i konsideroni këto teza?

E kam ndjekur këtë debat dhe mendoj se ka arsye të mira për ta rivlerësuar këtë pjesë të historisë. Nuk mendoj se ka një kontradiktë mes termave pushtues dhe administrues, në fillim je pushtues, pastaj bëhesh administrator. Shumë vende në Ballkan, që u bënë subjekt i pushtimit otoman, panë një lloj shkalle zhvillimi edhe për qytetarin e mesëm. Kjo duhet rivlerësuar. Mendoj se është më e rëndësishme ta shikojnë rolin e pushtimit otoman, pasi përqasja që literaturat serbe kanë ndaj tij, është shumë më negative se në çdo vend tjetër.

Ndoshta se ata kanë qenë më fanatikë ndaj fesë së krishterë sesa shqiptarët, që nuk e kanë pasur me sa duket çështje të identitetit kombëtar?

Është një mundësi. Sepse krishterimi në nacionalizimin serb ka një rol shumë më të fortë, sesa roli që luan feja në Shqipëri. /Start/

                                                                                             2011-10-12 10:55
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›