E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fisi dhe krahina - binomi që qeveris Shqipërinë

Kujtim Mateli / Studiues

- Mentaliteti i Sali Berishës është një përzierje e mentaliteteve të traditës me ato mentalitete që krijoi regjimi komunist në Shqipëri. Si njeri ka qenë i lidhur ngushtë me këto dy mendësi dhe kjo nuk çudit asnjërin. -Vjedhja e votës mund të konsiderohet risi e Sali Berishës për të qenë i përjetshëm në pushtet. Zogu e vulosi sundimin e tij me dekret, u bë mbret dhe e mbylli përfundimisht marrjen e votëbesimit nga populli. Enver Hoxha e zgjidhi nëpërmjet votimit formal. Njerëzit shkonin dhe votonin për pushtetin. Sali Berisha mendoi ta zgjidhte nëpërmjet tjetërsimit të votës. Ky njeri e quan normale deformimin e votës, sepse në mendësinë e tij njerëzit nuk votojnë për opozitën, por për pushtetin. - Është vështirë të dalësh në një përfundim të vetëm për ngjarjen e 21 janarit. Cilitdo kryeministër mund t`i ndodhë që populli t`i rebelohet dhe kjo është normale për vendet demokratike. Po nuk është normale për vendet diktatoriale. Nuk mund të them se jemi një vend diktatorial, por mendësia e kryeministrit tonë është e tillë. Sali Berisha në këtë drejtim nuk ndryshon shumë nga dy paraardhësit e tij: nga mbreti dhe lideri komunist. Madje ka një gërshetim midis të dyve, produkt hibrid i shekullit të kaluar që u mbart politikisht në shekullin XXI. Cili kryeministër i një vendi demokratik, sapo të dëgjonte të shtënën e parë mbi popullin, nuk do të jepte urdhër të prerë të ndalohej zjarri? Po burimi edhe sot nuk qartësohet se nga i erdhi Gardës së Republikës për të bërë atë gjëmë. Po nëse nuk mund të zbardhim origjinën e dhënies së atij urdhri makabër, gjithçka tjetërështë e zbardhur falë mediave që e kanë bërë detyrën e tyre në mënyrë profesionale. Një gjë ka bërë përshtypje tek shqiptarët: pse Sali Berisha mori përsipër menjëherë pas masakrës të zbardhte atë ngjarje vrastare me dëshmi të rreme? Për ta shpjeguar atë na vjen në ndihmë mentaliteti fisnor e komunist i kryeministrit të Shqipërisë. I pari i fisit dhe i shtetit, përgjigjet edhe kur nuk e ka dhënë vetë këtë urdhër. Ky ka qenë parim dhe ka rregulluar jetën fisnore shqiptare në mungesë të shtetit dhe të ligjit. I pari i fisit përgjigjej për dëmin që u kishte shkaktuar të tjerëve. Ishte ky personi i vetëm që ose nuk e pranonte fajin ose ndëshkonte personin e fisit të tij që kishte kryer një faj. Në këtë rol, në krye të fisit apo të shtetit, Sali Berisha mori përsipër të përgjigjej para shqiptarëve duke zgjedhur rrugën e mashtrimit. Në një shtet normal, ai që është i pari, është ligji. Dhe për ngjarjen e 21 janarit duhet të fliste ligji, pra, institucionet përkatëse të zbatimit të tij. - Sali Berisha e njeh veten në krye të qeverisë edhe si i pari i fisit të tij. Futja pa asnjë kriter në zyrat e shtetit dhe të pushtetit në shumicë, i njerëzve që vijnë nga krahina e tij apo rreth saj, duke hequr pa asnjë motivim njerëzit që ishin punësuar në këto zyra nga e gjithë Shqipëria dhe që përfaqësonin një raport të drejtë midis rretheve e krahinave në shkallë vendi. Të gjitha këto mentalitete, kanë sjellë nevojën e largimit të kësaj qeverisjeje. Fatmirësisht koha që përcakton këtë largim është e afërt, 23 qershori do të shënojë dhe kufirin midis dy qeverisjeve për shqiptarët.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›