Fiter Bajrami, Presidenti Nishani uron besimtarët

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fiter Bajramit. Përmes një mesazhi të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës Nishani teksa përcjell urimet më të mira për cdo familje myslimane, thekson se ky është një rast për të festuar, kur myslimanët bashkohen për të reflektuar vlerat e rëndësishme të familjes, bamirësisë dhe komunitetit.
“Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni!
Është kënaqësi e madhe, sigurisht edhe nder, që urimin e parë si President i Republikës t`jua drejtoj të gjithë besimtarëve myslimanë dhe bashkëkombasve të mi: Gëzuar Festën e Fiter Bajramit!
Bajrami i Madh vjen pas muajit të madhërueshëm të Ramazanit, muajit të agjërimit, të sakrificës, të paqes dhe dashurisë për njëri- tjetrin.
Ky është një rast për të festuar, kur myslimanët bashkohen për të reflektuar vlerat e rëndësishme të familjes, bamirësisë dhe komunitetit. Me rastin e kësaj feste të madhërishme, uroj për më shumë paqe, tolerancë, begati, harmoni dhe shëndet!
Të dashur motra e vëllezër myslimanë shqiptarë!
Nëpërmjet besimtarëve myslimanë gjej rastin të uroj të gjithë popullin shqiptar që ka shfaqur gjithmonë një nga virtytet e tij më të mëdha, bashkëjetesën fetare!
Besimi është një nga cilësitë më të çmuara që ka njeriu dhe që e ka çuar njerëzimin përpara. Le ta ruajmë këtë besim në breza dhe ta përmirësojmë në raport me njëri-tjetrin.
Edhe njëherë ju uroj ju besimtarë dhe të gjithë shqiptarëve paqe, harmoni, shëndet dhe mirësi!” thekson Presidenti në urimin e tij.