Fiter Bajrami, presidenti Topi uron besimtarët
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka përcjellë sot një mesazh urimi për
festën e Fiter Bajramit besimtarëve myslimanë shqiptarë kudo që ndodhen.
"Uroj që kjo ditë e kulmit të pastrimit dhe kthjelltësisë shpirtërore, pas një muaji të madhërishëm agjërimi e përkushtimi, t'ju ketë gjetur më të mirë e më të ndershëm, me zemrat plot dashuri për familjet e të afërmit, me më tepër ndjenjë atdhedashurie!"- u drejtohet ai besimtarëve.
Topi thekson se harmonia dhe toleranca, përjetimi së bashku i festave të njërit-tjetrit dhe adhurimi për të Plotfuqishmin përbëjnë visaret e pashembullta të bashkëjetesës fetare të kombit tonë.
Virtyte, që sipas tij, shqiptarët i kanë trashëguar brez pas brezi ndër shekujt nga të parët dhe me të cilat do të pasurojnë edhe mozaikun e vlerave të familjes së përbashkët evropiane ku synojmë të hymë së shpejti.