Fitimi i Kupës. Deklaratat e vlonjatëvePresidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika “Është një ngjarje shumë e bukur. Meritë kanë lojtarët, por dhe dashamirësit. Është diçka e bukur për mua dhe për Vlorën. Do ta festojmë siç e meriton ky trofe”.

Ish-presidenti i Tiranës, Presidenti aktual i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, përjetoi një tjetër moment jo të këndshëm kur për herë të dytë rresht u detyrua t’ia dorëzonte trofeun e Kupës së Republikës kapitenëve të skuadrave kundërshtare. Nëse vitin e kaluar ia dorëzoi shkodranit Armir Grima të Vllaznisë, këtë vit ia dha kroatit Branko Paniç të Flamurtarit.
Zoti Topi, një tifoz i thekur i Tiranës e ndoqi finalen drejtpërdrejt i pranishëm në tribunën “VIP” të stadiumit “Niko Dovana”, në praninë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, atij të Tiranës, Refik Halili e Flamurtarit, Shpëtim Gjika. Një numër i madh drejtues klubesh, trajnerësh, ekspertësh futbolli e ish-lojtarësh ishin në tribunë.
Në qendër të karshisë së “Niko Dovanës” ishte vendosur nga tifozeria vlonjate një banderolë shumë kuptimplote: “Flamurtari: Gjigand. I paepur. Krenar. Absolut”, që formonte me shkronjat e para edhe akronimin e mbiemrit të presidentit të Flamurtarit, GJIKA.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi
“Një fitore e merituar e Flamurtarit. E uroj nga thellësia e zëmrës që ta gëzojë këtë Kupë. Nuk ishte rezultat i vetëm një ndeshje, por i një impenjimi të gjatë”.
Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika
“Është një ngjarje shumë e bukur. Meritë kanë lojtarët, por dhe dashamirësit. Është diçka e bukur për mua dhe për Vlorën. Do ta festojmë siç e meriton ky trofe”.
Shefi i klubit Flamurtari, Geri Çipi
“Është kënaqësi ta fitoj në vitin tim të parë si drejtues klubi. Kemi një kontingjent djemsh të mrekullueshëm. Tifozët sakrifikuan shumë, por dhe ne nuk i zhgënjyem”.
Trajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushi
“Ia dolëm ta çojmë Kupën në Vlorë. Falënderoj Shpëtim Gjikën. Kishim uri të madhe për ta fituar, pasi një trofe na mungonte prej një kohë të gjatë. Urime të gjithëve”.
Kapiteni i Flamurtarit, Branko Paniç
“Besuam te fitorja dhe ia dolëm të fitojmë Kupën për ne lojtarët, për tifozët, për Vlorën. Doli edhe parashikimi im Tani të gëzohemi, e më pas të mendojmë për kampionatin”.
E Merkure, 06 Maj 2009