“Fito”, bosi i drogës në Ekuador ekstradohet në SHBA

Kreu i fuqishëm i një bande ekuadoriane, Adolfo Macías Villamar, është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për trafik droge dhe armësh.
I njohur si “Fito”, ai u arrestua në qershor, pothuajse një vit pasi u arratis nga një burg i sigurisë së lartë ku po vuante një dënim me 34 vjet burg për një sërë krimesh.
“Unë dhe zoti Macías do të paraqitemi nesër para gjykatës federale të Bruklinit ku ai do të deklarohet i pafajshëm. Më pas, ai do të mbahet në një burg që do të përcaktohet për një kohë të pacaktuar”, tha avokati i tij, Alexei Schacht.
“Fito” ishte kreu i bandës Los Choneros, e cila është e lidhur me organizata të fuqishme kriminale nga Meksika dhe Ballkani. Ai dyshohet gjithashtu se ka urdhëruar vrasjen e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio në vitin 2023.
Më shumë se 70% e të gjithë kokainës së prodhuar në botë kalon aktualisht nëpër portet e Ekuadorit. Vendi ndodhet midis dy eksportuesve kryesorë të kokainës në botë, Kolumbisë dhe Perusë.
/rtsh.al/