Fitojmë edhe me Titon

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi beson se skuadra aktuale do të adaptohet me trajnerin e ri Tito Vilanova dhe se largimi i Pep Guardiolës nuk do të ketë ndikim të madh. 41 vjeçari fitoi 14 tituj në katër sezone gjatë aventurës së tij duke u bërë trajneri më i suksesshëm në histori të klubit.
Ai i dhuroi Messit shansin për tu bërë titullar dhe ndihmoi zhvillimin e tij duke u shndërruar në yllin më të madh në botë që është sot. Por, Guardiola befasoi të gjithë duke njoftuar vendimin e tij për largim nga Nou Camp për të pushuar nga futbolli dhe rimbushur bateritë.
Ai u përkujdes të mos largohet duarthatë, pasi në ndeshjen e tij të fundit në detyrë, gjiganti katalan mposhti Athletic Bilbaon 3:0 në finalen e Copa del Rey. Messi beson se Vilanova mund të bëjë punë të mirë dhe mohoi spekulimet e javëve të fundit se është duke konsideruar mundësinë e largimit nga klubi.
“Jam më tepër se i lumtur në Barcelonë dhe kurrë nuk kam menduar të ndërroj skuadrën. Nuk do të largohem”, tha Messi për Expansion.
“Ne do ta tejkalojmë largimin e Guardiolës dhe shpresojmë që gjithçka të vazhdoj njësoj edhe me Titon i cili ka të njëjtën filozofi dhe mentalitet. Guardiola dhe Tito bën gjithçka së bashku gjatë këtyre viteve dhe nuk mendoj se puna jonë ditore do të pësojë ndryshime të mëdha. Personaliteti i Titos është pa dyshim i ndryshëm, por ne do të adaptohemi me të dhe shpresojmë se rezultatet do të jenë të njëjta”, shtoi ylli argjentinas.
Messi pranoi se ky i fundit ishte një sezon i mundimshëm për Barcelonën që brenda një jave humbi titullin e La Ligas dhe trofeun e Ligës së Kampionëve. Disfata në El Clasico nga Real Madridi më 21 prill u përcoll me eliminim në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
“Po, ishte një javë shumë e vështirë, humbja në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe Guardiola brenda një jave ishte goditje e rëndë”, pranoi ai.
Messi beson se Guardiola jo vetëm që solli sukses në klub por edhe ndryshoi dinamikën e futbollit pasi ndihmoi krijimin e një sistemi të ri të posedimit që shumë klube mundohen ta kopjojnë.
“Largimi i Guardiolës është goditje sepse ne ishim me fat që fituam gjithçka nën drejtimin e tij dhe i mësuam botës se si luhet ndryshe loja. Por, ne duhet të pranojmë vendimin e tij sepse ai deshi të jetë kështu”, përfundoi Messi.
Sulmuesi është aktualisht në detyrë ndërkombëtare me Argjentinën në kuadër të fushatës kualifikuese për Kampionatin botëror 2014.