Fitojnë të gjithë të mëdhenjtë Stonon Juve, barazon me Bordo
Champions League rikthen futbollin e madh me natën e parë të ndeshjeve të para në grupe. Fitojnë të gjithë të mëdhenjtë, por stonon vetëm Juventus, i cili nuk ka mundur të marrë më shumë se një barazim 1-1 përballë kampiones së Francës, Bordo. Ka qenë një ndeshje luftarake me raste, ku dy golat janë shënuar në pjesën e dytë me autor Iakuintën për vendasit dhe Plasil. Bajern merr fitoren më të pastër të mbrëmjes (3-0) në shtëpinë e Makabi Hajfas. Në Turqi, Mançesteri gjen rrugën e rrjetës vetëm në minutat e fundit të ndeshjes me Skolls (77‘). Volvsburgu shkatërron 3-1 CSKA të Moskës. Milani fiton me vështirësi një takim të mbushur me shumë emocione në Marsejë. Kuqezinjtë u falen këmbëve të Pipo Inzagit që shënon një dopjetë. Ndërsa Reali galaktik shënon tri gola të shpejtë ndaj Zyrihut dhe bën të duket se gjithçka do të jetë e thjeshtë. Në pjesën e dytë komplikohet disi situata, pasi vendasit ngushtojnë në 2-3, por në fund fiton me vështirësi 2-5 (dopjetë e Ronaldos). Çelsi buzëqesh në shtëpi falë një goli të Anelkasë ndaj Portos, ndërsa i vetmi takim i mbyllur pa gola ishte Atletiko Madrid-Apoel Nikosia i Altin Haxhit. Ndërsa sot do të zbresin në fushë katër grupet e tjera. Në grupin E, Liverpul-Debreçen lë pak hapësirë për komente, pasi të pakta janë shpresat e hungarezëve, të cilët gjithsesi do të dëshironin shumë një barazim. Sfida tjetër e grupit është Lion-Fiorentina; francezët janë më pak të frikshëm pa Benzema e Zhuninjo. Inter Barcelona: jo, nuk është një finale, por ndeshja e parë e Grupit F. Superndeshje, e cila karakterizohet nga sfida brenda sfidës: ajo e të kaluarës Ibra-Eto‘o, por edhe ajo mes dy trajnerëve Guardiola-Murinjo. Në këtë grup do të përballen mes tyre edhe Dinamo e Kievit me Shevçenkon dhe kampionët e Rusisë Rubin Kazan. Grupi G nuk ka ndeshje të mëdha, Sevilja pret rumunët e Unireas, një viktimë perfekte për andaluzianët. Ndeshje interesante mund të jetë ajo mes gjermanëve të Shtutgartit dhe skocezëve të Rejnxhërs Glasgou. Mbyll kuadratin Grupi H me Arsenalin që luan kundër modestëve të Standard Liezhit, një sfidë e lehtë për djemtë e Venger. Ndeshja tjetër vë përballë Olimpiakosin, kampion të Greqisë, ndaj kampionit të Holandës, Ajaks.