Suxho "gjen Amerikën" te Taranto në Itali
Donald Suxho largohet nga SHBA dhe "ka gjetur Amerikën" në Itali. Volejbollisti shqiptar, tashmë në moshën 33-vjeçare, i është bashkuar Prisma Tarantos: "Pranova të bëhesha pjesë e kësaj skuadre për të gjetur formën time më të mirë, por edhe për ta ndihmuar që të kualifikohemi deri në fazën ‘play-off‘ për titullin kampion të Italisë", deklaroi ai. Suxho udhëtoi drejt "tokës së premtuar" kur ishte vetëm 20 vjeç. Edhe pse tashmë është një titullar në përfaqësuesen amerikane, një prej skuadrave më të forta në botë, fillimi i aventurës ka qenë mjaft i vështirë. "Kur u nisa drejt SHBA-së, mendoja se do të gjeja ‘floririn‘ e volejbollit. Por, fillimisht u zhgënjeva shumë. Familja ime vuajti shumë që të më bindte të qëndroja, pasi Shqipëria më mungonte", theksoi korçari. Suxho kthehet në kampionatin italian, ku më parë është aktivizuar me Montikiarin në periudhën 2005-2007.