E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiton ‘89-shi, titulli vendoset në fund

Kampionati i Kosovës në futboll do të vendoset në javën e fundit, pasi derbin e xhiros së parafundit e fitoi Trepça ‘89 kundër Prishtinës me rezultat 1:0.

Prishtinës i është dashur vetëm një pikë për ta festuar titullin në Mitrovicë, por minuta e fundit ka qenë fatale për ta.

Pjesa e parë e këtij takimi ka qenë e barabartë me të dy skuadrat që mbroheshin mirë dhe kërkonin mundësinë nga kundërsulmet.

Në pjesën e dytë, skuadra e Trepçës ‘89 mbeti me një lojtar më pak, ku për shkak të dy kartonëve të verdhë, u përjashta Shpëtim Idrizi dhe u mendua se Prishtina do të shënonte fitore, por në minutën e fundit të takimit, në skenë doli Labinot Ahmeti që shënoi golin e vetëm dhe të fitores.

Pas këtij takimi, Trepça ‘89 i është afruar vetëm një pikë Prishtinës dhe kampionati do të vendoset vetëm në xhiron e fundit, ku Prishtina e pret Vëllaznimin dhe ‘Xehetarët’ nga Mitrovica i shkojnë Lirisë së Prizrenit.

Vëllaznimi – Drenica 0-1

Vëllaznimi është mposhtur para tifozëve të tij nga Drenica me rezultat minimal 0-1. Skuadra gjakovare javën e kaluar i kishte humbur gjasat për titull dhe për këtë takim nuk kanë qenë të motivuar, për dallim nga Drenica, që pas kësaj fitoreje e ka siguruar mbetjen në elitën e futbollit kosovar. Drenica nga fillimi ka qenë më e mirë, por golin e fitores e arriti në minutën e 58-të me golashënues Taulant Dajakun. Pas këtij takimi, Vëllaznimi mbetet në vendin e tretë me 55 pikë, kurse Drenica e shtata me 43 pikë.

Hysi – Trepça 3-4

Trepça ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme, për mbetjen në Superligë përballë kampionit aktual, Hysit në Merdar. Hysi këtë takim e nisi më mirë, pasi i pari kaloi në epërsi me golin e Fiton Hajdarit. Mirëpo deri në fund të pjesës së parë, Trepça arriti që ta barazonte rezultatin në 1-1, me golin e Lavdim Balisë. Në pjesën e dytë, mitrovicasit arritën që të shënojnë edhe tri herë të tjera me dy gola të Getoar Dragushës dhe një të Arlind Mustafës, ndërsa në anën tjetër, për Hysin shënuan Zeqiri dhe Haziri. Hysi mbetet në pozitën e pestë me 45 pikë, ndërsa Trepça në të nëntën me 40 pikë.

Drita – Liria 3-4

Drita ka pësuar humbje nga Liria në Gjilan dhe i ka mundësuar kësaj të fundit që mbijetesën ta kërkojë në javën e fundit kundër Trepçës ‘89 në stadiumin e saj në Prizren. Në këtë takim, për skuadrën vendase shënuan Foniqi 4’, Bejtullahu 53’ dhe Osmani 85’, ndërsa për skuadrën mysafire dy herë shënoi Tafili dhe nga një herë shënuan Meha dhe Palushi. Pas këtij takimi, Drita ruajti pozitën e katërt me 47 pikë, ndërsa Liria u ngrit në të tetën më 41 pikë.

Besa – Lepenci 6-0

Besa ka shënuar fitore të lartë përballë Lepencit, me rezultat 6-0. Për dallim nga Besa, për skuadrën e kaçanikasve ky takim ka qenë shumë i rëndësishëm në garën për mbijetesë. Për skuadrën pejane, tri herë shënoi kapiteni Haxhi Zeka dhe nga një herë shënuan Krenar Vokshi, Bernard Berisha dhe Fisnik Papuqi. Pas kësaj xhiroje, Besa është e gjashta me 45 pikë, ndërsa Lepenci ka rënë në pozitën e 10-të me 39 pikë, pozitë kjo që dërgon në barazh.

Tabela Xhi. Gd. Pi.

1. Prishtina 32 30 62

2. Trepça '89 32 26 61

3. Vëllaznimi 32 7 55

4. Drita 32 3 47

5. Hysi 32 10 45

6. Besa 32 2 45

7. Drenica 32 7 43

8. Liria 32 -9 41

9. Trepça 32 -4 40

10. Lepenci 32 -11 39

11. KEK-u 31 -25 25

12. Gjilani 31 -36 24

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›