E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiton “Ungjilli i Backwater”

Filmi i animuar “The Backwater Gospel”, i danezit Bo Mathorne, i cili flet për fantazmën që sjellë vdekjen në qytetin Blackwater u zgjodh për filmin më të mirë të edicionit të tretë të Festivalit Anibar, në kategorinë e filmave ndërkombëtarë.

Festivali Anibar përfundoi të hënën mbrëma, me përzgjedhjen e filmave më të mirë të animuar në dy kategoritë garuese, atë të filmave ndërkombëtarë dhe atë të filmave ballkanikë.

Filmi më i mirë ndërkombëtar nga ana e jurisë për këtë kategori - në përbërje të cilës ishin animatori kosovar, Gjon Marku, kritiku i filmave të animuar, Luuk van Huwt, dhe gazetarja, Nancy Denney-Phelps – u përzgjodh filmi i animuar danez “The Backwater Gospel”, i autorit Bo Mathorne.

Nga ana tjetër, çmimi për filmin më të mirë të animuar ballkanik i takoi filmit të animuar ‘The Shadow Play” (Loja e Hijeve), të autorit turk Sinan Sertel, ndërsa i dyti u radhit filmi “In the Beginning of Time” (Në Fillim të Kohës), i autorit kroat, Bozidar Trkulja.

Vlerësimin e kësaj kategorie të filmave e bëri juria e përbërë nga Mehmet Behluli, Vladislava Vojnovic dhe Ergys Faja. Në këtë kategori u vlerësuan edhe filmat “The Father” (Babai), i bullgarit Ivan Bogdanov, “Perfect Life”’ (Jeta e Përkryer), i turkut Ozgul Gurbuz, “The Promise of Constantine”, i shqiptares, Marvina Cela, dhe “Michael Pollan’s Food Rules” i serbes Marija Jacimovic dhe francezit Benoit Detalle.

Çmimi special i festivalit iu nda filmit “Oh Willy”, të autorëve Emma de Swaet dhe Marc Roels.

Ndryshe, gjatë gjashtë ditëve të festivalit, në katër kinematë e Pejës janë shfaqur 167 filma të animuar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›