E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiton Jetmiri

Fotografi kosovar, Jetmir Idrizi, u shpall fitues i çmimit ‘Gjon Mili 2012’, duke triumfuar ndaj 20 fotografëve tjerë që ishin përzgjedhur për të garuar për këtë çmim në vlerë prej një mijë euro. Idrizi tha se çmimin ua dedikon të mbijetuarve nga burgu i regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Fotografitë që ua ka bërë të mbijetuarve nga burgu i regjimit komunist të Enver Hoxhës, kryesisht atyre që kanë përjetuar burgun e Spaçit, ia sollën fotografit kosovar, Jetmir Idrizi, çmimin ‘Gjon Mili’ 2012, i cili ka vlerën prej një mijë euro. Ky çmim, i cili u dha të premten mbrëma gjatë ceremonisë së hapjes së Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë, Çmimi ‘Gjon Mili’ 2012, duket se e gëzoi tej mase fituesin, i cili tha se çmimin ua dedikon atyre të cilët i ka fotografuar.

“Këtë çmim ua dedikoj të mbijetuarve nga burgu i regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe shpresoj që një histori e tillë të mos përsëritet asnjëherë në asnjë vend të botës”, tha Idrizi pasi e mori çmimin që mban emrin e fotografit të njohur shqiptaro-amerikan.

Idrizit çmimin ia dha kritikja e artit Silvia Eiblmayr, e cila qe kryetare e jurisë, në përbërje të së cilës qenë edhe fotografi Veton Nurkollari dhe Walter Seidl, kurator, shkrimtar dhe artist.

Duke e lexuar vendimin e jurisë, Eiblmayr tha se të gjitha këto vepra bartin një mesazh dhe ndjenja shumë të rëndësishme mbi kulturën shoqërore dhe përdorimin politik të medieve.

“Me ndihmën e kuratores Christine kemi arritur të mbledhim një numër të madh të artistëve të njohur vendor dhe ndërkombëtar dhe në të njëjtën kohë të prezantojmë tema dhe koncepte të ndryshme. Procesi i përzgjedhjes në fund për vetëm një artist për shpërblimin ‘Gjon Mili’ nuk ka qenë një detyrë e lehtë për shkak të një cilësie shumë të lartë dhe të dukshme të të gjitha veprave të prezantuara”, tha ajo.

Më pas ajo theksoi se juria unanimisht u pajtua që t’ia japë çmimin ‘Gjon Mili’ 2012 Jetmir Idrizit.

Seria e veprave të Idrizit është titulluar ‘Muzeu i kujtimeve të këqija’. Eiblmayr tha se ky punim është përzgjedhur për shkak të të llojllojshmërisë së aspekteve të ndërthurura në këto vepra, të cilat janë: cilësia e lartë e fotografisë, por gjithashtu edhe qasja konceptuale politike e punimit.

“E kemi përzgjedhur këtë punim për shkak të llojllojshmërisë së aspekteve të ndërthurura në këto vepra, të cilat janë: cilësia e lartë e fotografisë, por gjithashtu edhe qasja konceptuale politike e punimit. Kjo qasje nuk e ka prekur vetëm nivelin kosovar por gjithashtu edhe nivelin më global nga perspektiva historike. Fotografitë bardhezi të Idrizit nuk transmetojnë vetëm rrethanat dhe faktet aq komplekse historike, sepse kuptimi i fotografive është gjithmonë i kushtëzuar nga dhe në varësi të kontekstit. Andaj fotografi ka vendosur që të shtojë komente në formën e përshkrimeve më të gjata”, tha Eiblmayr.

Kanë qenë 21 fotografë që janë përzgjedhur për të konkurruar për këtë çmim, punimet e të cilëve u prezantuan në Galerinë e Arteve të Kosovës. Koncepti kuratorial i kësaj ekspozite ishte ‘Koha, vendi dhe kamera: fotografia si proces i punës’.

Kuratorja Christine Frisinghelli theksoi se të gjithë fotografët kanë sjellë koncepte e pikëpamje të ndryshme për të njëjtën kohë, vend e kamerë. Ajo shtoi se ka pasur një përvojë të veçantë gjatë kohës sa ka punuar lidhur me këtë ekspozitë.

“Ishte kënaqësi të kem një përvojë të vërtetë në këtë vend sepse atë çka e dimë për Kosovën është kryesisht ajo çfarë e shohim dhe e dëgjojmë nga mediet. Ideja ka qenë që të mbledhim artistë nga të gjitha vendet dhe të prezantojmë punimet e tyre në konceptin i cili edhe mban emrin e kësaj ekspozite, pra vendi, koha dhe kamera”, tha kuratorja Frisinghelli.

“Pata mundësinë që përmes kësaj përvoje të njihem me artistët më për së afërmi dhe të flas me ta dhe në të njëjtën kohë të kuptoj se çka po ndodh këtu në këtë vend dhe posaçërisht çka po ndodh me fotografinë bashkëkohore në Kosovë”, shtoi kuratorja.

Ekspozita ndërkombëtare “Gjon Mili ” u iniciua më 2001 si iniciativë e përbashkët e Galerisë së Arteve të Kosovës dhe Michael McLallen nga zyra e atëhershme e SHBA-së në Prishtinë. Ideja fillestare ishte që të krijohej një ekspozitë tradicionale në formë të konkursit për fotografi që do të mblidhte artistët e fotografisë me vepra të reja. Kjo iniciativë rezultoi me ekspozitën vjetore që vazhdon për njëmbëdhjetë vite me radhë dhe ka arritur reputacionin si ekspozita dhe gara më e rëndësishme për artin e fotografisë në Kosovë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›