Zbulohet super-vullkani nën Hong-Kong

Sipas shkencëtarëve që zbuluan ekzistencën e tij, para 140 milionë vjetësh ky vullkan duhet të ketë prodhuar shpërthime gjigante, që kanë emetuar sasi pluhuri dhe hiri në dimensione të frikshme dhe që ndoshta kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në klimën e kohës.
Sot vullkani gjigant nuk është aktiv, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të zgjohet një ditë, pasi super-vullkanet janë forca të dhunshme të natyrës, që mendja e njeriut nuk është në gjendje t’i imagjinojë. Për të kuptuar forcën dhe agresivitetin e super-vullkaneve mund të kujtojmë një zbulim sensacional në SHBA.
Në vitin 1971, paleontologu Mike Voorhies dhe skuadra e tij gjetën mbetjet e 200 rinoqerontëve të fosilizuar. Nga analizat e mëtejshme u vërtetua se shkaku i ngordhjes së atyre kafshëve ishte vullkani Bruneau Jarbridge.
Ai ishte një super-vullkan, shpërthimi i të cilit kishte fuqinë të linte pasoja edhe 1600 km larg, në vendin ku u gjetën fosilet e mbytura në hi.