E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiton e djathta, por koha e reformave nuk pret

23-11-2011 / "El Pais"

Partia Popullore Spanjolle (PPE) arriti të siguronte një fitore të bujshme, të rrallë në historinë e saj politike për nga përqindja dhe numri i deputetëve në parlamentin spanjoll. Nga ana e saj, Partia Socialiste Spanjolle (PSOE) mbërriti në shifrat e rezultateve më të dobëta të epokës demokratike. Përmasat e përhumbjes së saj kanë forcuar formacionet e tjera politike që i përkasin spektrit të majtë - “E majta e Bashkuar” (IU) dhe “UPyD”(formacioni politik i kryesuar nga Roza Diezi dhe që pati në pragzgjedhje edhe mbështetjen publike të nobelistit Mario Vargas Llosa, “Una rosa para Rosa”, 13.11.2011, (El Pais) - ku bënë konak votuesit e zhgënjyer nga socializmi dhe që nga ana tjetër nuk e gjenin veten te PP-ja e Rahoit. Partitë nacionaliste do të vijojnë të përfaqësohen në parlament në përmasa të ndryshme në Katalonjë e Vendet Baske. Sakaq, ERC-ja e ruan të pandryshueshme shkallën e saj të mbështetjes popullore, “CiU” ka pësuar rritje, ndërkohë që “Amaiur”, sigla e formacionit politik të së majtës së pavarur baske, shndërrohet në një forcë politikë që më shumë ndenjëse i siguron në Vendet Baske dhe njëherazi gëzon edhe të drejtën e formimit të grupit të saj parlamentar. Seanca parlamentare e radhës do të shpalosë një të djathtë të bujshme në numër dhe një të majtë më të larmishme, por më të ndarë dhe të rrudhur në numër. Fitorja e Partisë Popullore i takon udhëheqësit të saj Mariano Rahoi dhe grupimit të besnikëve të tij që i ofruan mbështetje qysh në vitin 2008. Ishin pikërisht këta, që në kohën kur Rodriguez Zapatero mbizotëronte politikën spanjolle, vendosën t’u japin fund ndasi-politikës në radhët e gjera të popullorëve dhe grupimeve mediatike pranë kësaj force, të cilat kërkonin një ndryshim të menjëhershëm të udhëheqësit të së djathtës. Kështu, Rahoi mbërriti në paradhomën kryeministrore pa mbartur mbi shpinë dyshimet e së shkuarës, përfshirë këtu edhe mentarin e tij José María Aznar. Fakti që Mariano Rahoi arriti rezultate ku e ku më të larta se ato të Aznarit në vitin 2000 - që asokohe nuk ka dyshim se politika e tij binte ndesh me interesat e gjera të Spanjës dhe ishte kundër interesave edhe të vetë Mariano Rahoit - përbën një rast të artë e të papërsëritshëm për ta pastruar Partinë Popullore nga mbetjet e ultramontan-izmit (term përkeqësues, për të shprehur prirjet e theksuara religjioze në politikë) dhe për ta shndërruar në një forcë politike konservatore si të singjashmet evropiane. Në këtë periudhë, ekonomia spanjolle ka shkarë drejt zonës së “shpëtimit financiar” bashkë me Italinë. Kjo përbën një arsye më shumë që kryeministri në detyrë Zapatero dhe ai i zgjedhur Rahoi, të dy së bashku, të shprehen publikisht e njëzëri - përpara se të rikthehet pasiguria në tregjet financiare evropiane - se Spanja do të ndërmarrë të gjitha nismat e nevojshme për të dalë nga kriza. Pikërisht për këtë arsye ata duhet të përshpejtojnë të gjitha hapat që parlamenti i ri të fillojë punë, që të përligjet kryeministri i ri dhe të formohet kabineti i ri qeveritar. Nga ana e tij, Rahoi duhet të shpallë pa humbur kohë se cili do të jetë ndërmjetësi ekonomik me BE-në në këto ditë trazirash, madje të nisin bisedimet edhe përpara se të formohet qeveria. Mariano Rahoi ka siguruar një fitore përmes një ligjërimi politik, që nga njëra anë synonte ngërthimin e të gjitha pjesëve të elektoratit të tij heterogjen, e nga ana tjetër të shmangte sa më tepër mundësinë e mobilizimit të radhëve të zgjedhësve socialistë. Por, nëse kjo taktikë i dha rezultat për të korrur fitoren e dëshiruar në kutitë e votimit, njëherazi mund të shndërrohet edhe në pengesë të qeverisjes së tij. Venitja e shpejtë e kapitalit politik që Rahoi siguroi natën e parmbrëmshme nuk zymton vetëm ardhmërinë e Partisë Popullore, por spanjollët në tërësi, të gjendur përballë një krize ku sakrificat do të jenë të mëdha. Në fushatë, përmendjen e këtyre sakrificave Rahoi e shmangu në maksimum, duke e vënë theksin te cilësia që do të fitonte vetë politika spanjollë duke këmbyer drejtuesin e vendit. Gjendja e rëndë ekonomike kërkon që tashmë të shmangen dykuptimësitë, të shpallet sa më parë programi qeverisës dhe të bëhet me dije ekipi që do t’i duhet të përballet me sfidat që i ka në derë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›