E Shtunë, 31 Tetor 2026

Informal-opozita, si cjapi tek kasapi

23-11-2011 / Redaksionale

Dje gjatë një takimi informal, kreu i Partisë Socialiste mblodhi kolegët e partive të opozitës së bashkuar për t’u thënë se do mblidhemi një herë tjetër zyrtarisht për të diskutuar reformën zgjedhore. Ky komunikim vjen pas gatishmërisë së maxhorancës për bashkëpunimin me opozitën në realizimin e reformës zgjedhore dhe adresimin e 52 rekomandimeve të të OSBE/ODIHR-it. Afërmendsh brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë, për një reformë zgjedhore tërësisht transparente dhe konsensuale.
Megjithatë interesant është fakti që familja opozitare u mblodh sërish në “informalitet”, pas disa mbledhjesh të cunguara, për qejfmbetje të ndryshme. Mesazhi për Ramën ka qenë i qartë: “jo më limona të shtrydhura” për limonadën e radhës.  Me radhë, sipas mënyrës së tyre, Gjinushi në fillim, në mes Milo, dhe Dule në fund, i kanë bërë të ditur kreu të PS-së se s’ka pazare në kurriz të tyre, përndryshe të gjitha opsionet janë të hapura, çka do të thotë aleanca fluide.
Sakaq selia rozë, nuk dha asnjë deklaratë zyrtare, por burimet pranë takimit thanë se Rama ka ripërsëritur mbështetjen e tij për partitë e vogla duke ju garantuar një reformë gjithëpërfshirëse. Sido që të jetë është tallje cinike e Ramës thirrja e tryezës së partive opozitës për reformën zgjedhore, kur është po ai që ka propozuar dhe votuar në vitin 2008 një kod zgjedhor, që përjashton partitë e vogla nga parlamenti.
Afërmendsh qëllimi i Ramës në vitin 2008 ka qenë neutralizimi elektoral i Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës, e cila votohet nga qytetarë kryesisht me bindje të majta, dhe përbënte një problem për oreks e gjithëpushtetshëm të kryetarit të PS.  Të kujtojnë këtu se krerët e partive të vogla të opozitës janë jashtë parlamentit, si rrjedhojë e kanibalizmit të drejtpërdrejtë të votave nga ana e PS-së. Një shembull: gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2009, deputeti socialist Erjon Brace me forma dhe mënyra të ndryshme arriti të neutralizonte në Berat të gjitha votat për partinë G99, me kandidati Erjon Velinë. Kësisoj Braçe e largoi Velinë nga Parlamenti, por ky i fundit u hakmor me hyrjen nga dritarja në PS, sipas formulës anormale të kooptimit të përdorur nga Rama.  Erjon Brace mbeti me gisht në gojë, kurse Erjon Veliaj dha dorëheqjen nga një subjekt i pashpresë politik. Prandaj po themi që Rama s’ka asnjë interes të ndryshojë Kodin Zgjedhor, por t’i mbajë me shpresë të pashpresët.
Ndërkaq 10 partitë  e vogla kërkojnë në thelb 4 gjëra, 1) sistem proporcional, 2) ulje të pragut, 3) numërim elektronik, 4) lista të hapura. Këto kërkesa kërkojnë patjetër një ndërhyrje në Kushtetutë (neni 64), pasi  përcakton numrin e deputetëve - 140) me nenet 75, 162 dhe 163 të Kodit Zgjedhor, të cilat përcaktojnë formulat matematike që konverton numrin e popullsisë sipas qarqeve dhe vullnetin e zgjedhësve në numër të mandateve të fituara nga secili subjekt politik në garë. Mirëpo ndryshimi i nenit 64 të Kushtetutës, për të cilin duket se Rama është penduar publikisht, i hap shtegut të kërkesës socialist për rikthimin në situatën e 2008, ku opozita kishte mundësi të “bllokonte” institucionet Kushtetuese, sipas formulës konsensuale të ¾ të votave të Parlamentit. Dhe duke parë që për 2 vjet PS-ja bojkotoi parlamentin, dhe për rrjedhojë përjashtoi Shqipërinë nga mundësia e  marrjes së Statusit të vendit-kandidat, ngase kryeson kriteri politik. Rikthimi i rregullave të 2008 do të thotë një hap prapa. Është koha për të parë drejt të ardhmes.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›