E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitore për përforcimin e kreut

Të mërkurën në kryeqytet zhvillohet derbi i xhiros së gjashtëmbëdhjetë i Superligës ndërmjet dy rivalëve, Prishtinës dhe Dritës. Trajneri i prishtinasve, Afrim Tovërlani, ka paralajmëruar se prej minutës së parë do ta sulmojë ekipin gjilanas në kërkim të tri pikëve të reja. Ndërsa, trajnerin e Dritës, Arbnor Morinën, do ta kënaqte edhe një barazim eventual.

Në këtë mesjavë do të zhvillohet xhiroja e gjashtëmbëdhjetë e Superligës së Kosovës në futboll, në kuadër të së cilës do të zhvillohet edhe derbi ndërmjet dy rivalëve të vjetër, Prishtinës dhe Dritës.

Kampioni në fuqi synon ta fitojë këtë duel, ndonëse trajneri Afrim Tovërlani e pranon se nuk do ta ketë aspak lehtë përballë gjilanasve, të cilët i respekton, ngase në dy edicionet e fundit ata e kanë ‘ndriçuar’ Superligën.

“Atmosfera në skuadrën tonë është shumë e mirë dhe moti nuk ka qenë më e mirë. Andaj, me padurim e presim derbin ndaj Dritës, të cilën e respektojmë. Pas këtyre tri rezultateve të fundit pozitive, morali është ngritur në ekipin tonë, andaj nga fillimi do të mundohemi ta fitojmë këtë derbi”, ka deklaruar strategu prishtinas Afrim Tovërlani.

Ndërkohë, edhe njëri prej futbollistëve kryesorë të ekipit të tij, Azem Ahmeti ka pohuar se bashkë me shokët e ekipit do ta japin maksimumin nga vetja që pikët e plota të këtij derbi t’i ndalin në kryeqytet, por ka kërkuar përkrahje sa më të madhe të ‘Plisave’.

Në këtë takim bardhekaltrit hyjnë pas një barazimi të nxjerrë në Drenicë, derisa Drita e takon Prishtinën pas humbjes tronditëse që e pësoi në shtëpi nga Llamkos Kosova (0:4).

Trajneri i gjilanasve, Arbnor Morina, ua ka tërhequr vërejtjen djelmoshave të tij që ta harrojnë humbjen nga vushtrriasit dhe t’i qasen me shumë seriozitet derbit me ish klubin e tij, Prishtinën.

Morina shpreson që skuadra e tij të kthehet në Gjilan e pamposhtur nga kryeqyteti.

“Jemi duke u munduar ta marrim vetën pas asaj humbjeje nga Llamkos Kosova. Shpresoj të këndellemi dhe t’u kthehemi lojërave të mira në duel me Prishtinën dhe ta nxjerrim të paktën një barazim nga kjo ndeshje”, u shpreh Morina.

Po të mërkurën zhvillohen katër takime tjera, derisa të enjten ndeshja mes Llamkos Kosovës dhe Trepçës ’89 e përmbyll javën e parafundit të pjesës së parë të kampionatit.

Superliga – Xhiroja e 16-të

E mërkurë

Vëllaznimi – Drenica

Trepça – Liria

Ferronikeli – Besa

Hajvalia – Hysi

Prishtina – Drita

E enjte

Ll. Kosova – Trepça ‘89

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›