E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ia gjuajnë Policisë

Incidenti i ndodhur në Gjilan pas takimit Drita - Llamkos Kosova nuk është qitur fare në tavolinën e Komisionit të Garave të Federatës së Futbollit. Sipas këtij komisioni, ndeshja kishte rrjedhë normale, ndërsa me huliganët që shkaktuan trazira jashtë stadiumit i takon të merret Policisë së Kosovës.

Incidenti i ndodhur të dielën në Gjilan pas ndeshjes Drita – Llamkos Kosova - ku tifozët vendas ‘Intelektualët’ i sulmuan ata vushtrrias ‘Forca’, respektivisht autobusët e tyre, të cilët i demoluan plotësisht – ka kaluar jashtë tavolinës së Komisionit të Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Në fakt, Komisioni i Garave i FFK-së në mbledhjen e vet, që e ka mbajtur të martën, nuk ka iniciuar fare procedurë disiplinore ndaj klubit gjilanas për incidentin, të cilin e kishin karakterizuar edhe të shtënat me armë zjarri.

Anëtarët e këtij komisioni thonë se rrjedha e ndeshjes mes gjilanasve dhe vushtrriasve në fushën e blertë kishte rrjedhë normale, ndërsa me huliganët që shkaktuan trazira jashtë stadiumit thonë se duhet të merret Policia e Kosovës

“Ne merremi vetëm me rrjedhjen e ndeshjes brenda stadiumeve, ndërsa me rastin që ka ndodhur jashtë stadiumit duhet të merret policia”, tha për Express anëtari i këtij komisioni, Xhafer Halilosmani.

Krejt çka ka bërë Komisioni i Garave është se ia ka refuzuar Trepçës kërkesën që ndeshja e saj me Hysin (0:0) të regjistrohej me rezultat zyrtar 3:0 në favor të tyre dhe ka iniciuar procedura disiplinore ndaj disa futbollistëve.

Në incidentin e së dielës janë lënduar pesë persona: dy policë, dy shoferë të autobusëve të vushtrriasve dhe një person i sigurimit privat. Në lidhje me incidentin, Policia e Kosovës në Gjilan ka arrestuar dy persona, derisa ka konfirmuar se është në kërkim edhe të disa të tjerëve.

Rasti i fundit, i ndodhur në futboll, është vazhdimësi e incidenteve të njëpasnjëshme që e përshkuan basketbollin kosovar muajin e kaluar. Në atë rast, Federata e Basketbollit e Kosovës vendosi që t’ua ndalojë tifozëve udhëtimin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›