E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me ‘snajper’ kundër Eto’os

Gianni de Biasi ndeshjen miqësore kundër Kamerunit e vlerëson si një test të rëndësishëm për ekipin kuqezi. Kjo përballje do t’i ndihmojë italianit që ta projektojë ekipin për ndeshjet e radhës në eliminatoret për Kampionatin Botëror 2014. Ndërsa, sa i përket taktikës për ta bllokuar Samuel Eto’on, 56 vjeçari ka një strategji – ta ndalë me ‘snajper’.

Kombëtarja shqiptare të martën është grumbulluar në qytetin zviceran Gjenevë, ku sonte në mbrëmje do ta zhvillojë ndeshjen miqësore kundër përfaqësueses së Kamerunit në Stade de Geneve.

Strategu italian këtë përballje e ka vlerësuar si një test të rëndësishëm për ekipin kuqezi. Gjithashtu kjo përballje do t’i ndihmojë italianit që ta projektojë ekipin për ndeshjet e radhës që do t’i luaj në kuadër të eliminatoreve për kampionatin botëror ‘Brazili 2014’.

“Për ne është një test i rëndësishëm dhe nga këndvështrimi i vlerësimit të lojtarëve që kemi grumbulluar për herë të parë. Për të mos u gjendur të papërgatitur dhe për t’i bërë të ambientohen më mirë lojtarët që nuk janë grumbulluar më parë do të duhej një miqësore si kjo, ku rezultati sigurisht është i rëndësishëm, por jo vendimtar, ndaj do të kërkojmë të bëjmë ndeshjen e duhur për të kuptuar dhe kualitetin e lojtarëve që kemi thirrur tani”, ka thënë Gianni de Biasi një intervistë për Super Sport.

Për dallim prej grumbullimit të fundit, strategu italian për duelin ndaj Kamerunit i ka përgatitur disa risi. Ai në ekipin e tij i ka sjellë disa futbollistë të rinj, me të cilët në të ardhmen mund ta ripërsërisë skuadrën kuqezi.

Bruno Telushi, Armando Vajushi, Sabien Lilaj, Bekim Balaj dhe Renato Arapi janë ardhjet e reja në ekipin kryesor të Shqipërisë. Ndërkohë, pas një kohe të gjatë, italiani në skuadër i ka rikthyer edhe Kristi Vangjelin e Elis Bakajn.

“Vangjeli është një nga ata që e konsideroj si të ri, pasi nuk e kam pasur më parë në dispozicion. Pastaj Bala dhe Vajushi janë dy lojtarë që dua t’i shikoj se çfarë reagimi do të kenë me këtë grup, pastaj ka dhe gjëra të tjera që do të vlerësojmë”, ka theksuar italiani.

Ish trajneri i disa ekipeve të njohura italiane si Brecsia, Torino e Udinese, jashtë ekipit për këtë takim ka lënë lojtarë të rëndësishëm si Hamdi Salihi, Erion Bogdani e Ansi Agollin.

“Salihi po luan “play-off”-in me skuadrën e tij. Një tjetër është Bogdani, të cilin e njoh shumë mirë e njëkohësisht edhe vlerat e tij. Nuk më shërben kjo miqësore për të. Dua të testoj të tjerët, por ka dhe lojtarë të tjerë që nuk janë grumbulluar tani. Siç kam thënë dhe më parë, unë kam një listë prej rreth 30-34 futbollistësh që i mbaj në konsideratë për këto ndeshje”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, De Biasi e ka vlerësuar të rëndësishme përballjen me Kamerunin, një ekip që dallon nga shkollat evropiane të futbollit.

“Besoj se është e rëndësishme të përballemi me sa më shumë shkolla futbolli, lojtarë fizikë që kanë goxha kualitet, ndoshta nuk kanë një koncept të madh skuadre, por janë lojtarë që vijnë nga eksperienca të rëndësishme. Eto apo Song që luajnë në skena të mëdha apo futbollistë që luajnë në kampionatin francez. Do të thosha që është një test i rëndësishëm dhe aspak i lehtë për ne, kjo është e sigurt”, thotë italiani.

I pyetur se a ka ndonjë plan se si do ta ndalë sulmuesin e njohur kamerunas Samuel Eto’o, strategu italian është përgjigjur: “Po, i qëllojmë nga tribuna. Vëmë një snajper aty në tribunë dhe ta qëllojë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›