E Shtunë, 31 Tetor 2026

Man Utd nuk dorëzohet kurrë

Lideri i Premierligës, Manchester United është shndërruar në skuadër të rikthimeve sensacionale. Deri më tani gjatë këtij sezoni, ekipi i Sir Alex Fergusonit ka fituar 15 ndeshje në të gjitha garat, nëntë prej të cilave në raste kur ka qenë në disavantazh. Gjiganti nga Old Trafford nuk dorëzohet as në rastet kur kundërshtari ka epërsi prej dy golave. Edhe atëherë di të fitojë.

Pas 11 xhirosh në Premierligë, kryeson Manchester United. Skuadra e Sir Alex Fergusonit, përveç që është duke shfrytëzuar maksimalisht përforcimin e ri Robin van Persie, deri më tani gjatë këtij stinori ka treguar shpirt të jashtëzakonshëm luftarak, sidomos në rastet kur është gjendur në disavantazh.

Nëntë herë nga 15 fitoret e deritashme në të gjitha garat e këtij stinori kanë ardhur pas përmbysjes së rezultatit. Instituti i statistikave Opta ka publikuar shënime, prej të cilave njëra bie më së tepërmi në sy.

Deri më tani gjatë këtij sezoni në Premierligë, skuadrat kanë fituar 29,4 për qind të pikëve të tyre në rastet kur janë gjendur në disavantazh. Ky është tregim në vete duke konsideruar se shifra është më e lartë se ajo e edicionit të kaluar (19,2), andaj mund të arsyetohet pse në mediet angleze kjo e tanishmja quhet ‘sezoni i rikthimeve’.

Sigurisht është ende herët për përfundime të tilla, por shënimet e përkrahin vlerësimin e deritashëm se në Premierligë “asgjë nuk dihet deri në sinjalizimin e përfundimit të takimit. Sipas parashikimeve, skuadra e cila ka realizuar më së tepërmi përmbysje është Manchester United.

Pesë prej nëntë fitoreve të tyre në ligë, United i ka realizuar pas disavantazhit fillestar. Kurse, në Ligën e Kampionëve, skuadra e Fergusonit nuk ka qenë në disavantazh vetëm në duelin e parë kundër Galatasarayt, kur fitoi 1-0. Tri ndeshjet tjera (me Clujin dhe dy herë Bragën), fitorja u arrit pas kryesimit të kundërshtarit.

Në përgjithësi, United deri më tani ka zhvilluar 17 ndeshje dhe fitoi 15: plot 9 prej tyre (60 për qind) u arritën nga pozita e disavantazhit. Rikthimet e rezultateve nuk janë risi për skuadrën nga Old Trafford.

United më 1999 fitoi Ligën e Kampionëve kundër Bayern Munichut me golat e Teddy Sheringham dhe Ole Gunnar Solskjaer brenda 103 sekondave të fundit të takimit, duke përmbysur epërsinë e bavarezëve. Por, këtë edicion skuadra ka arritur të rikthejë rezultate edhe kur ka qenë në disavantazh prej dy golave.

Kjo ndodhi xhiron e shkuar kundër Aston Villës, që arriti të krijojë epërsi 2-0. Por, meksikani Javier Hernandez realizoi het-trik për fitoren në përmbysje të Unitedit. Në Angli minutat shtesë tashmë kanë filluar t’i quajnë ‘koha e Fergusonit’, kurse busti që së shpejti do të shpaloset në Old Trafford e tregon strategun skocez duke shikuar orën.

Ish selektori i Anglisë, Steve McClaren, kohë më parë kishte deklaruar: “Manchester United gati kurrë nuk humb, vetëm se nganjëherë nuk arrin të fitojë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›