E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitore për t’i ikur fundit

Dy skuadrat e fundit të tabelës, Liria dhe KEK-u do t’i masin forcat të shtunën në Prizren në kuadër të xhiros së tetë të Superligës. Të dyja këto ekipe synojnë t’i rrëmbejnë pikët e plota dhe t’i ikin zonës së rrezikshme. Nga Valon Konushevci më 01 tetor 2011 në ora 12:59

Në këtë fundjavë do të zhvillohet xhiroja e tetë e Superligës së Kosovës në futboll, e cila do t’i sjellë disa duele mjaft interesante. Takim i tillë pritet të zhvillohet të shtunën në Prizren, ku do të ballafaqohen Lira dhe KEK-u, skuadra këto të cilat sivjet prioritet kryesor e kanë mbijetesën në elitë. Andaj, edhe pse ky është akoma veç fillimi i kampionatit, vlera reale e pikëve të kësaj ndeshjeje do të shihet qartë kah fundi i sezonit.

Të dyja këto ekipe deri më tani i kanë pësuar nga pesë humbje në shtatë xhiro dhe gjenden në dy pozitat e fundit të renditjes tabelore. KEK-u e ka shënuar vetëm një fitore dhe një herë ka barazuar, derisa Liria i ka regjistruar dy fitore. Andaj, prizrenasit synojnë që ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit dhe me fitore ndaj ‘Elektricistëve’ të ngjiten në kuotën e nëntë pikëve.

“Na nevojiten shumë pikët, andaj do të bëjmë çmos që pikët t’i ndalim në Prizren. Nuk do ta kemi lehtë, sepse pavarësisht rezultateve të dobëta, KEK-u po tregon lojëra të mira, por megjithatë jam optimist se do të fitojmë”, tha trajneri i Lirisë, Ali Maralusha.

Në anën tjetër, trajneri i KEK-ut, Mentor Miftari shpreson që fati t’u ndihmojë djelmoshave të tij. “Sikurse KEK-u, ashtu edhe Liria do të luajnë me lojtarë të rinj, me mungesë të madhe të përvojës. Prandaj do të jetë një ndeshje interesante dhe skuadra më e mirë, dhe më me fat, le të fitojë”, u shpreh Miftari, ekipi i të cilit deri më tani i ka tubuar vetëm katër pikë. Të shtunën zhvillohen edhe dy takime tjera, kurse tri ndeshjet e fundit luhen të dielën.

Superliga – Xhiroja e 8-të
E shtunë
Drita – Besa
Liria – KEK-u
Drenica – Gjilani

E diel
Vëllaznimi – Trepça
Hysi – Lepenci
Trepça ’89 – Prishtina

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›