E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimi i Memlit

Ministri i Sportit, Memli Krasniqi, është i shqetësuar me dyshimet rreth shkeljeve ligjore në procesin e shuarjes së KB Prishtinës dhe formimit të Prishtinës BC. Ai ka kërcënuar se nëse konstatohen shkelje, fajtorët do të japin përgjegjësi, derisa Ministria do t’i shqyrtojë marrëdhëniet me Federatën e Basketbollit të Kosovës. Por, akterët ndihen të pastër. Nga Valon Konushevci më 01 tetor 2011 në ora 13:27

Shuarja e klubit më të trofeshëm në basketbollin kosovar, KB Prishtinës, vazhdon të zgjojë reagime të ndryshme në vendin tonë. Pas këtij vendimi, menjëherë kanë lind dyshime rreth shkeljeve të mundshme ligjore gjatë procesit të shuarjes së klubit bardh e kaltër.

Këto dyshime e kanë shqetësuar ministrin e Sportit, Memli Krasniqi. Ai është i vetëdijshëm se ligji nuk ia lejon të përzihet në punët e federatave sportive dhe thotë se as që do të dëshironte ta bënte një gjë të tillë. Por, ai këmbëngul se nuk do ta lejojë askënd të shkelë mbi ligjet në fuqi.

Andaj, Krasniqi ka paralajmëruar se nëse vërtetohen shkelje ligjore gjatë procesit të shuarjes së KB Prishtinës, siç po përflitet, akterët do të marrin përgjegjësi siç parashohin ligjet në fuqi.

“Çështjet që janë ngritur kohëve të fundit me të vërtetë janë për çdo shqetësim. Nëse
do të ketë dëshmi siç po flitet ditëve të fundit për falsifikime dhe probleme të natyrave të tjera në këtë proces, atëherë unë besoj se dikush duhet të jep përgjegjësi dhe Ministria do të marrë përgjegjësitë e veta, do të ushtrojë funksionet e veta karshi rregullimit të kësaj problematike”, ka deklaruar Krasniqi.

Madje, ai ka paralajmëruar edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) se Ministria e Sportit do t’i shqyrtojë marrëdhëniet e saj me të, nëse vërtetohet të ketë pasur shkelje ligjore gjatë procesit të shuarjes së KB Prishtinës.

“Në rastin kur konstatohen shkelje ligjore, mosrespektim i ligjit për sport dhe ligjeve tjera si dhe i statuteve, qoftë të federatave apo të klubeve, atëherë pa dyshim se ne nuk mund të rrimë indiferent dhe të miratojmë në heshtje shkeljet e tilla, sepse në fund të fundit të gjitha federatat subvencionohen nga paraja publike dhe nëse ndodh të ketë shkelje ligjore, atëherë ne nuk kemi tjetër rrugëdalje veçse të shqyrtojmë marrëdhëniet tona me federatat përkatëse”, ka theksuar Krasniqi.

Ai tregoi se ditë më parë ka marrë një raport të përgjithshëm nga Departamentit i Sportit i kësaj ministrie mbi këto zhvillime, por Krasniqi tregoi se ka kërkuar një raport më të hollësishëm për të konstatuar nëse ka pasur apo jo shkelje.

Në anën tjetër, ish ushtruesi i detyrës së drejtorit të KB Prishtinës së shuar tashmë, Artan Rugova insiston se nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore në atë proces.

“Ne jemi shumë të sigurt se nuk ka pas asnjë shkelje ligjore. Ministri Krasniqi, si një ministër i një shteti demokratik, do të ishte mirë që informatat nga ai proces t’i merr nga dora e parë e jo nga rrugët e rrugaçët. I bëjmë thirrje ministrit të na ftojë për t’ia dhënë informatat nga ai proces prej dorës së parë. Përndryshe, ne jemi të gatshëm që të ballafaqohemi me të gjitha mjetet ligjore dhe të dëshmojmë se në atë proces s’ka pas shkelje”, tha Rugova për Express.

Kurse Federata e Basketbollit e Kosovës nuk trembet nga paralajmërimi i ministrit Krasniqi se Ministria e Sportit do t’i shqyrtojë marrëdhëniet me këtë federatë, nëse konstatohen shkeljet ligjore në procesin e shuarjes së KB Prishtinës dhe formimit të klubit të ri, Prishtinës BC.

“FBK-ja e ka regjistruar Prishtinën BC në bazë të rregulloreve dhe gjitha ligjeve në fuqi. Si federatë nuk kemi bërë asnjë shkelje në këtë drejtim. Sa i përket shuarjes së KB Prishtinës, ne nuk mund ta dimë e as që duam ta dimë se a ka pas shkelje ligjore në kuvendin e atij klubi apo jo. Federata organizon gara e nuk heton ku ka pas shkelje të ligjeve. Shkeljet e ligjeve i hetojnë gjyqet e jo ne”, pohoi kryetari i FBK-së, Fatmir Gashi.

Borxhi prej rreth 300 mijë eurove i kishte detyruar kuvendarët e KB Prishtinës ta shuajnë fituesin e 20 trofeve në periudhën e pasluftës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›