E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalmarit pritet t’i shtohen kosovarët

Skuadra e Kalmarit ka shprehur interesim për Anel Raskajn. Ky fundit është i pavendosur rreth së ardhmes, derisa nuk e fshehë dëshirën që t’i bashkohet këtij klubi, pjesë e të cilit janë edhe katër futbollistë kosovarë: Etrit Berisha, Alban Dragusha, Liridon Leci e Besnik Rrustemaj. Nga Express më 01 tetor 2011 në ora 12:03

Pas Etrit Berishës, Alban Dragushës, Liridon Lecit e Besnik Rrustemajt, skuadrës suedeze Kalmar pritet t’i shtohet edhe një futbollist kosovar. Bëhet fjalë për mesfushorin prizrenas Anel Raskaj.

Kapitenit të përfaqësueses së Kosovës në fund të këtij sezoni do t’i saldojë kontrata me klubin e Halmstadit. Largimi i 22 vjeçarit nga ky klub është i sigurt, pasi Halmstads ka rënë në ligën e dytë suedeze (Superettan).

Sipas medieve suedeze, Kalmar tashmë ka shprehur interesim që Raskajn ta transferojë në skuadër. Këtë e ka konfirmuar edhe talenti i lindur në qytetin e Prizrenit.

“Unë e di se ata kanë treguar interes për mua gjatë sezonit, se sa është serioz ky interesim nuk e di. Ka shumë spekulime dhe kërkesa, duket sikur interesimi nga liga është më serioz se nga shtetet tjera”, ka thënë Raskaj për gazetën lokale të Klmarit, Barometern.

Raskaj, i cili në Suedi krahasohet me legjendën franceze Zidane, ka thënë se nuk e ka të lehtë të marrë vendim se ku do ta vazhdojë karrierën, derisa nuk e fsheh dëshirën që t’i bashkohet Kalmarit.

“Kam dëshirë të luaj në Kalmar, por tani për tani janë vetëm spekulime dhe se duhet të konsideroj me kujdes se çfarë është më së miri për mua, për familjen time dhe zhvillimin tim si futbollist. Edhe çështja financiare është një faktor që hyn në konsiderim”, ka theksuar.

Nëse Raskaj i bashkohet Klmarit, atëherë te kjo skuadër do të gjejë katër bashkëkombës; portierin Etrit Berisha, mbrojtësit Alban Dragusha e Liridon Leci dhe sulmuesin e ri Besnik Rrustemaj.

“Unë e di se bashkatdhetarët luajnë në Kalmar. Është gjithmonë mirë”, ka përfunduar Raskaj i cili në vitin 2007 kishte debutuar në ekipin e parë të Halmstadsit, me të cilin ekip ka zhvilluar mbi 100 ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›