Fitore që duhen lexuar mirë
Ibrahim Abedini/Poet
-Pas Kërçovës, Struga ishte bastioni më i rëndësishëm i shqiptarëve të Maqedonisë. Edhe pse Gruevski, kryeministri i sllavo-maqedonasve, trumbetoj me të madhe se me të gjitha forcat do kthente tek banorët e etnisë sllave në Strugë melankolinë e viteve të komunizmit, humbja e ndoqi pas si një e drejtë e kohës. Edhe Struga u fitua. Në Strugë nuk fituan partitë politike, por fituan shqiptarët. Fitoi vullneti i pathyer i popullit shqiptar. Fitoi ndjenja e fuqishme kombëtare që u zgjua përsëri dhe veproi njëzëri kur Struga e kërkoi për të mbajtur të gjallë frymëmarrjen e saj. Fitoi struga për të mos e humbur identitetin e saj kombëtar dhe etninë e lashtë dhe për të mos rënë në fatin e Manastirit, Resnjës, Ohrit dhe së fundi edhe Kumanovës. Partitë shqiptare, si ato në pushtet pa edhe ato në opozitë duhet të jenë gjithnjë vigjilente të çështjes kombëtare, gjithmonë në bashkëpunim me popullin. Nuk duhet lënë hapësirë për veprim partive politike sllavo- maqedonase dhe mekanizmave të tyre të hapëta dhe të fshehta, që ata të ”shfrytëzojnë rastin” dhe dobësitë e politikbërjes sonë, ashtu siç kanë vepruar në të kaluarën. Gruevski me klikën e tij, si edhe të parët e tyre, popullin e vetë e kanë ushqyer me gënjeshtra, me shpifje dhe intriga, për t´u arsyetuar para tyre se e drejta e vendimmarrjes mbi të tjerët ka qenë në anën e tyre. Shqiptarët në Strugë dhe në vise të tjera heshtin dhe humbjen e pranojnë në heshtje. Ikja dhe shpërngulja në heshtje, është humbje. Humbi në heshtje Manastiri, Resnja dhe Ohri. Ky është një dështim i politikës shqiptare në përgjithësi. Ky është një turp për politikanët shqiptarë në pushtet që edhe pas kaq vitesh nuk mundën të hapin një shkollë të mesme në Manastir, Resnjë apo Ohër. Ndërkohë që një grusht sllavo-maqedonë të rrethit të Prespës në Shqipëri, arritën të ndryshojnë edhe autoktoninë ilire të një vendbanimi të lashtë, duke e kthyer atë në emërtim sllav ”Pustec”. Shtrohet pyetja përsëri: a kemi një strategji kombëtare të koordinuar? Kuptohet se jo! Ndaj fitorja në Strugë nuk duhet të na motivojë për gjumë dhe rahati. Fitorja kërkon punë të pandalshme dhe angazhim maksimal për të arritur të humburën.