A e ka shtyrë Berisha, apo SHBA, votimin për të hënën?
Deklarata e qeverisë amerikane, përmes ambasadës së SHBA në Tiranë, e cila e konsideronte pozitiv faktin që Berisha e ka shtyrë për të hënën votimin në Kuvend për marrjen e anëtarit të KQZ nga LSI, të krijon përshtypjen e parë sikur kjo shtyrje është mirëpritur për shkak të presionit të tyre. Reagimi i SHBA dhe Bashkimit Evropian ishte përgjithësisht mosaprovues ndaj asaj që Berisha është duke bërë me KQZ, dhe në këtë klimë një shtyrje kohe duket si një shans që Berisha të tërhiqet.
Por e shtyu realisht Berisha votimin prej SHBA apo prej problemeve të veta?
Nga një vëzhgim banal i kuorumit ditën e enjte, rezulton se Berisha nuk i kishte deputetët e nevojshëm në sallë për të bërë një betejë në KQZ, dhe nga ana tjetër nuk mundi ta fusë dot në rend të ditës votimin. Të gjitha detajet që u paraqitën publikisht si arsye përse u shty votimi, duket se nuk kanë lidhje me qëndrimin kritik të SHBA apo Bashkimit Evropian.
Në periudhën mes të premtes dhe së hënës, e vetmja gjë e re është qëndrimi i OSBE, i cili është thuajse i turpshëm. Ambasadori i OSBE në Tiranë e quan ende në punë anëtarin e KQZ (këtë e dimë të gjithë), dhe thotë se të hënën duhet të vendoset fati i tij, dhe këtë po ashtu e dimë të gjithë.
Në këto kushte për të kuptuar se sa i vendosur është Berisha të veprojë, mbetet të shikojmë se si e percepton ai presionin ndërkombëtar për këtë çështje. Në një shkrim të Artan Hoxhës, një prej njerëzve që po lëvizin marrëdhëniet publike të Berishës në këtë fushatë elektorale, botuar në gazetën Panorama, shikohet qartë nënvleftësimi për qëndrimin ndërkombëtar, i cili është ekuivok dhe i pavendosur.
Në këto kushte pyetja thelbësore është nëse qëndrimi zyrtar i SHBA do të ndikohet nga ambasada e SHBA në Tiranë, apo nga lobistët e Podestës në zyrën e Berishës. Kjo është një nga ato pika, që nëse ata ia dalin, qëndrimi amerikan për zgjedhjet bëhet më tutje i parëndësishëm. Nëse Podesta ia del të bindë Uashingtonin se kjo që po ndodh në Tiranë është një çështje e diskutueshme, shumë relative dhe me plot ngërçe juridike, dhe ndryshimi i KQZ tolerohet, atëherë jemi para një defaktorizimi të faktorit më të fuqishëm perëndimor që mund të mbrojë standardin e zgjedhjeve në Shqipëri.
Fakti që Berisha ka shtyrë votimin për të hënën, ose ndoshta e shtyn për të enjten, ngjan më shumë se po i jep kohë Podestës ta justifikojë aktin e tij në Uashington, se sa po i jep kohë vetes të dëgjojë këshillat e ambasadorit Arvizu apo qëndrimeve zyrtare të Departamentit të Shtetit.
Nëse Berisha ia del, atëherë nuk hyn në krizë vetëm komisioneri i LSI, por dhe ai i PBDNJ dhe krijohet një rreth vicioz për faktin se kujt i takojnë komisionerët që u heqin këtyre. Kështu, nëse ia heq LSI-së dhe ia jep partisë së dytë të opozitës, duhet tia japësh Partisë së Çamëve dhe jo Partisë Republikane, pasi ajo e çamëve ka dy deputetë. Ose nëse ia heq PBDNJ-së, nëse ajo del në koalicion me Bamir Topin si forcë e tretë, duhet tia rikthesh LSI-së që është tashmë forca e dytë opozitare brenda koalicionit. Pra, gjithçka hidhet në erë dhe kompozimi i KQZ humbet integritetin ligjor dhe bazohet thjesht mbi taktikat dhe sloganet elektorale dhe jo mbi Kodin Elektoral.
Shumë shqiptarë mendojnë se Berisha po pret të hënën për tu tërhequr, por në fakt unë shikoj një Berishë jo vetëm të vendosur për ta marrë anëtarin e KQZ, por dhe për ta justifikuar atë me ndihmën e miqve të tij në SHBA, por dhe në Evropë. Gjuha e vdekur e OSBE-së në Tiranë dhe diferenca e fortë mes Podestës në krah të Berishës dhe ambasadës së ShBA në Tiranë kundër tij, është shenjë që tregon se Berisha po pret të mbyllë problemet për të fituar dhe jo për tu dorëzuar.
