E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitorja dhe humbja e 23 qershorit

Ilir  Paja/Poet

A ishin zgjedhjet të lira? Duket se kjo është pyetja që nuk i takoi këtyre zgjedhjeve. Madje as mediat, analistët nuk e lodhën veten të merreshin me një pyetje tanimë retorike. Po pse?! Sepse, sipas mendimit tonë, qoftë shumica, ashtu dhe opozita tani shumicë, mendonin një fitore Pirroje, duke dyshuar ngaherë midis njëri – tjetrit. Dhe ky popull, të cilin e epitetëzojmë jo pak në media, programe tv, spektakle humori, kur shohim parregullsinë e tij që nga vijat e bardha, vendosi të bëjë diçka për veten. Të ndëshkojë dikë duke paralajmëruar që në nisje fituesin...Dikush humbi më shumë se një pushtet, humbi diçka përtej vetes. Pra, zgjedhjet ishin të ndershme, sepse ishin zgjedhje të popullit për veten e tij. Këtë duhet të kuptojë shumica e sapoardhur. Duhet kuptuar dhe diçka tjetër: askush të mos shpresojë në krijimin e një “oborri-bllok rozë”, sepse një kryeministër artist është tejet i vështirë të pranojë deri dhe “rezidenca oborresh”. Nëse do citojmë filozofin francez Raimomd Aron: “Pararoja artistike dhe pararoja politike herë-herë kanë ëndërruar drejt një aventure të përbashkët, në mënyrë që të arrijnë çlirim të dyfishtë”. Këto zgjedhje ia dhuruan pjesën tjetër të “ëndrrës” këtij njeriu, por që të cilit, nëse stafet e tij nuk do kenë minimalisht “prirje talenti deri tek talenti”, vështirë t’i kundrojë gjithë këta njerëz, ku mund të nisin të gjumen nën freskun e një emocioni shpërthyes si ideali i një rilindjeje...Por që kjo Rilindje të jetë më shumë se shqiptare duhet kërkuar Dantja dhe shprehja e tij: “ atdheu im është bota ime e brendshme”. E të kërkosh një njësi “gjeografike” kaq të madhe sa vendi yt, ti njeri fitues dhe ju fitues, duhet të mendoni se të ardhurit në pushtet duhet t’i përkasin ndoshta më shumë asaj pjese që është gati mbi 35 % e popullsisë që nuk votoi. Sepse në zgjedhjet që do vijnë, nëse ka pak drejtësi brenda këtij mandati, mandati i dytë do jetë jo betejë Pirroje por “lëngatë” pleqërie e tij, kurse nëse do ketë drejtësi, mandati i ardhshëm do jetë mitik!

Në veprën e tij filozofi gjerman Erich From, citon për njeriun modern këtë model social: “Paraja u bë niveluesi i madh i njerëzve dhe u tregua më e fuqishme se sa origjina dhe kasta”.  Po t’i qëndrojmë këtij modeli, cilado qeverisje, e veçanërisht kjo e sapo mbërritur mbi pushtetin, do kuptojë dy barra të rënda. E para, të mos e njollosë pasurinë e fituar me pushtetin, pra ligjin, dhe e dyta, të mbrojë qytetarin, i cili sipas Fromit “aq sa është i lirë po aq është dhe i pasigurt”. Është ky qytetari që sipas programit të Rilindjes përfaqëson 95% të popullsisë. E Majta dhe Rilindja. Sipas Aron, revolucioni lind ose nga dëshpërimi ose nga shpresa dhe jo nga pakënaqësia. Po t’i qëndrojmë kësaj teze, kuptojmë dhe votën plebishitare të këtyre zgjedhjeve. Pra, përtej pakënaqësisë duket se ka patur një dramë dëshpërimi gatuar me një shpresë si një tragjizëm që abortoi në kohë. Tani që ndryshimi  politik partiak është bërë, pala humbëse duhet të analizojë vetëm një gabim. Dhe gabimi është i dukshëm. Të vërë në peshoren e ligjit dhe të nderit sesa nga gjithçka bëri ishte për të tjerët dhe sa për veten. Mendoj, se ky është gabimi i vetëm. Dhe pse me 56 mandate, qeverisja e djeshme i ka mundësitë të bëjë një opozitë ku e Majta të qeverisë nën autoritetin e së drejtës. Por kjo nuk kërkon vetëm deputetë. Kërkon opozitë ku çdo mendim i saj të jetë ide dhe  ku vetë shumica do ta donte ta kishte, por që s’mund ta ketë, sepse kritika tani duhet parë si ndëshkim. Cili fitoi vërtet në këto zgjedhje? Mendoj se ne të gjithë, e mbi të gjitha qenësia jonë si shtet. Fitoi e drejta e një populli për t’iu shkëputur lakmisë deri dhe “intelektuale”, që tek ne kur gatuhet dhe me mediokritet e bën talentin si dhunti përtej njerëzore të vetëvritet pafundësisht. Për t’iu kthyer pak të kaluarës, në zgjedhjet lokale, kujtojmë numërimin e kutisë së fundit në njësinë nr. 5 në kryeqytet. Dhe kur njëri prej kandidatëve pretendoi rizgjedhjen e tij, ajo që më mbajti trishtëm ishte keqpërdorimi i numrit 10. Ky numër mistik, por kaq i fyer mes dy njerëzve që reflektonin ndoshta garën më intelektuale për një qytet-kryeqytet. Dhe po aq sa më joshi numërimi dhjetës, po aq i kërkova ndjesë Dantes…Mes Tiranës dhe Ravenës mendova se poeti hyjnor do zgjidhte Firencen e tij dhe pse i dënuar me vdekje...Nëse pushteti i dhurohet qytetarit, ai s’mund të jetë si një kurorë martesore që pas divorcit merr gjithçka dhe pse në kontratë ka premtuar ndershmëri. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›