Një apel për presidentin e Republikës
Ju drejtohem si qytetar, por edhe si ushtarak në rezervë, me të drejtën dhe me besimin se ju kemi si qytetarin e parë të këtij vendi, si kryetarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe si komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura:
Nuk di nëse e dini që vendi ndodhet në vakuum pushteti dhe, si i tillë, në vakuum sigurie e stabiliteti. Besoj, duhet të dini që, në Shqipëri, gjatë muajit të fundit, në gjendje paqe, kanë humbur jetën më shumë njerëz sesa janë vrarë po në këtë muaj në Afganistan, i cili është ende në gjendje lufte.
Nuk di nëse e dini që edhe pse keni firmosur një dekret për mbajtje referendumi për ndalimin e importit të plehrave, qeveria ka vendosur të sjellë mijëra tonelata plehrash, pikërisht përpara referendumit.
Nuk di nëse e dini që, kur shtetet e fuqishme industriale nuk paskan kapacitete për ti ricikluar plehrat që na i shesin, si mund të ketë Shqipëria të tilla kapacitete?
Nuk di nëse e dini që plehrat që importojmë nga jashtë përmbajnë, midis të tjerash, lëndë radioaktive, të atilla që janë të mjaftueshme për të degjeneruar breza të tërë. Ju duhet ta dini se as shtetet që na i shesin këto mbeturina nuk i kanë kapacitetet për të çndotur lëndët radioaktive, prandaj i sjellin këtu gjoja si mbetje të zakonshme. Ju duhet ta dini se monitorimi i lëndëve radioaktive nuk mund të kryhet nga institucionet shqiptare, sepse nuk kanë as ekspertizën, as certifikimin, as trajnimin, as vullnetin për ta bërë këtë punë.
Nuk di nëse e dini që edhe vetë zhurma që po bëhet për plehrat, pa le më plehrat vetë, është e mjaftueshme që në Shqipëri të ndëshkohet edhe turizmi – mundësia e vetme e rimëkëmbjes së ekonomisë së varfër shqiptare
Nuk di nëse e dini që Shtëpia Qendrore e Forcave të Armatosura objekt ushtarak i firmosur nga paraardhësi juaj në Planin e Përhapjes dhe si i tillë i patjetërsueshëm pa firmën tuaj, qenkërka vendosur të tjetërsohet.
Nuk di nëse e dini që ushtarakët nuk kanë asnjë mjedis publik social tjetër ku të mblidhen lirshëm, në një shtëpi kulture ushtarake që e kanë ushtritë e të gjitha vendeve aleate e partnere; përse u dashka që kjo ndërtesë ku janë shpenzuar fonde të shumta nga buxheti prej 2% që i kemi deklaruar NATO-s, të tjetërsohet për një projekt partie, cilado qoftë ajo?
Nuk di nëse e dini se, në të dy rastet e mësipërme, institucioni që Ju përfaqësoni është nëpërkëmbur.
Nuk di nëse e dini se vendime e veprime si më sipër dhe të tjera që mund të pjellin mendjet e sëmura, do të krijojnë tensione, konfrontim, destabilizim e mungesë besimi, pikërisht në një kohë kritike kur ende nuk e kemi dhënë provimin e stabilitetit për të përfituar përfundimisht projektin Trans Adriatic Pipeline (TAP).
Ju kujtoj se projekte si TAP ka njëzet vjet që sillen vërdallë si hije nëpër nëpër Ballkan, për tu anuluar në minutën e fundit, pikërisht për shkak të pasigurisë e destabilitetit që vijojnë të paraqesin vendet e këtij rajoni, ku renditjen më të turpshme e mban Shqipëria.
Nuk është çështja thjesht tek një ndërtesë apo disa tonelata plehrash. Çështja është tek nëpërkëmbja e shtetit dhe, sidomos, te synimet për të prodhuar konfrontim me sfond politik pika themelore për të cilën mbetemi akoma të damkosur me të zezë për të mos iu afruar dyerve të Europës.
Këshilltarët tuaj të Sigurisë Kombëtare mund tju sjellin në vëmendje se këto janë lojëra të rrezikshme. Dëshiroj të shpresoj se institucioni që ju përfaqësoni nuk është përfundimisht inekzistent për të mos i vlerësuar sinjale tilla. Dëshiroj të shpresoj se ju vetë nuk jeni pjesë e këtyre lojërave.
