Fitorja e Memollës në Rrogozhinë, Veliaj: Ky rezultat i jep përgjigje të gjithëve, mirënjohje të majtëve dhe të djathtëve

Kryebashkiaku Erion Veliaj, njëkohësisht drejtuesi politik i qarkut Tiranë, Erion Veliaj ka përgëzuar fitoren e kandidatit të PS, Edison Memolla si kryetari bashkisë së Rrogozhinës.
Në një reagim, pak pas shpalljes së fitores së tij, Veliaj teksa falënderon qytetarët e Rrogozhinës, shprehet se rezultati i ka dhënë përgjigje të gjitha përpëlitjeve absurde nga njerëz që duan të përdorin votën për t’u mbrojtur nga zullumet që kanë kryer, duke nënkuptuar demokratët e Sali Berishës.
“Faleminderit nga zemra qytetarëve të Rrogozhinës, të majtë e të djathtë, që na dhanë një mbështetje përtej pritshmërive tona më optimiste!Mirënjohje të majtëve, por edhe shumë të djathtëve, që bënë diferencën duke braktisur politikën ‘përça e sundo’ e ‘mish për top’ kundër Perëndimit! Demokratët nuk janë armiqtë tanë, ata nuk janë Saliu, familjet e tyre nuk vrasin e vjedhin, nuk i hapin luftë qytetërimit, nuk jetojnë duke shqyer tjetrin. Demokratët janë vëllezërit tanë dhe kush shkëputet nga Saliu e salinjtë ka kryer një vepër patriotike sot duke votuar majtas! Këtë mesazh e lexuam qartë e do t’ju shërbejmë me përulësi të gjithëve!
Ky është një rezultat i cili i jep përgjigje të gjithëve. Dhe i jep fund përpëlitjeve absurde nga njerëz që duan të përdorin votën për t’u mbrojtur nga zullumet që kanë kryer. Qytetarët e Rrogozhinës nuk e hanë presionin nga askush. As nga xhepat e thellë as nga gojët e thella. Qytetarët e Rrogozhinës duan njerëzit që punojnë, jo ata që përfitojnë. Ky është mesazhi, ky është mandati që na dhanë. Puna! Kësaj do i dalim për zot! Punë të mbarë Edisonit e skuadrës sonë aty!” shprehet Veliaj.
Rrogozhina mbajti zgjedhjet e pjesshme lokale vetëm për kryetarin e Bashkisë pasi Kolegji rrëzoi rezultatin e 14 majit për këtë zonë zgjedhore, pas kundërshtive të opozitës, që provoi në gjykatën zgjedhore se rezultati i shpallur nga KQZ dhe Komisioni i Sanksioneve ishte i cenueshëm.
Kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla mori 6658 vota ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha mori 4906.
/rtsh.al/