E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitorja e PASOK, Papandreou merr urimet nga homologët botërorë

Pas publikimit të rezultateve zyrtare të cilat tregonin nje diferencë prej rreth 8 perqindësh te PASOK ndaj Demokracisë së Re, të Kostas Karamanlisit, ky i fundit i ka telefonuar rivalit të tij Papandreou duke i uruar fitoren në zgjedhjet e parakohshme. Në krahasim me rezultatin e parë paraprak të shpallur nga autoritetet zgjedhore PASOK është rritur me 0.2 përqind duke shkuar nga 43.2 ne 43.4. Urime Papandreu ka marrë edhe nga presidenti amerikan Barack Obama i cili gjithashtu nëpërmjet lidhjes telefonike e ka uruar liderin e së majtës greke, ndërsa i ka thënë se pret me padurim që të bashkëpunojë me udhëheqësin e ri helen. Numri një i Shteteve të Bashkuara, gjithashtu shprehu urimet e tij për pjesëmarrjen e grekëve në votime. Papandreou, bir dhe nip ish-kryeministrash ka premtuar një paketë stimulimi prej 4.5 miliardë dollarësh për të rigjallëruar ekonominë kombëtare. uke komentuar situatën pas zgjedhore, mediat shkruajnë gjithashtu se loja e rrezikshme e Kostas Karamanlisit për të thirrur zgjedhje të parakohshme dështoi në mënyrë spektakolare. Kreu i Partisë Konservatore tha se qeverisë së tij iu desh të mbarte peshën kryesore për krizën më serioze në vend që pas luftës. Karamanlis shtoi se kishte prezantuar manifestin më realist të mundshëm, që kishte si qëllim ta nxirrte Greqinë nga bataku ekonomik. Por duket se shtetasit nuk e pranuan këtë dhe ai respektoi dëshirat e tyre. Ndërsa socialistët fitues e përshkruan suksesin si një përgjegjësi të madhe ndërsa premtuan të bëjnë çdo gjë që është e mundur nga ana njerëzore për të patur një mandat të frytshëm katërvjeçar për të gjithë grekët. "Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, asgjë nuk do të jetë e lehtë, dhe do të duhet shumë punë", tha Papandreou pas fitores, ndërsa shtoi se gjithmonë do të jetë i ndershëm me popullin e tij, në mënyrë që gjërat të zgjidhen sa më mirë. Partia PASOK e Papanderut gjatë fushatës elektorale premtoi aplikimin e së ashtuquajturës taksa për të pasurit, mbështetje për të varfërit dhe një paketë gjithëpërfshirëse koniunkturore në vlerën e disa miliardë eurove. Me fitoren e saj, PASOK lancon edhe një mesazh shprese për të majtën europiane, që është në krizë. Në procesin zgjedhor votuan edhe 25 000 shqiptarë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›