E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrest me burg për vrasësin e mjekut

Me shenja pendimi dhe i heshtur, Ali Lorja, i njohur si vrasësi i mjekut Fatmir Thaçi është njohur të henën me masën e sigurisë "arrest me burg".
Organi i akuzës i përfaqësuar nga Elena Bakëllbashki i kërkoi trupit gjykues masën "arrest me burg" për të pandehurin Lorja, i cili akuzohet zyrtarisht për veprën penale të "vrasjes me paramendim" dhe atë të "armembajtjes pa leje"
Pas dëgjimit të palëve, trupi gjykues i kryesuar nga Shpëtim Reka ka aprovuar kërkesën e organit të akuzës, duke lënë 46 vjeçarin në pritje të seancave të tjera gjyqësore, ku pritet të tregojë detajet që e çuan në ekzekutimin e mjekut Fatmir Thaçi.
Seanca gjyqësore ka zgjatur më pak se 10 minuta, ndërsa gjatë gjithë kohës Lorja ka qëndruar në heshtje.
Por ndërsa 46 vjeçari njihej me masën e sigurisë, një tjetër e dhënë është mësuar nga burimet pranë grupit hetimor.
Burimet bënë me dije, se pas ekzekutimit të mjekut, 46 vjeçari kishte planifikuar të vriste edhe veten. Burimet shtuan se pasi ka qëlluar për pesë herë ndaj mjekut Thaci, Lorja e ka shkrehur pistoletën edhe mbi kokën e tij, por ajo ka qenë bosh. Pas kësaj 46 vjecari ka vendosur të vetëdorëzohet në polici, ku pranoi vrasjen.
Gjatë deponimit në polici, Lorja pranoi se vrasjen e kishte kryer për xhelozi, pas përfoljes se mjeku Fatmir Thaci, kishte një lidhje intime me bashëshorten e tij të vetëhelmuar disa muaj më parë.
E gjithë ngjarja në fjalë ndodhi mëngjesin e së premtes në spitalin e Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›