Fitorja në fushën e Interit mungon që prej vitit 2005
Rikthehet derbi i Milanos. Të dielën, Milani dhe Interi do të zhvillojnë përballjen e dytë sezonale, pas fitores së kuqezinjve në takimin e mëparshëm (më 28 shtator), ku Ronaldinjo shënoi golin deciziv. Por, këtë herë, sfida zhvillohet në shtëpinë e Interit dhe sipas zyrtarëve të klubit, të gjitha biletat janë shitur. Historia flet për 268 derbi të luajtur, ku Milani ndodhet në avantazh me 105 fitore, kundër 91 triumfeve të Interit. Për herë të fundit, zikaltrit e kanë fituar derbin në sezonin e kaluar: 2-1 më 23 dhjetor 2007. Rezultatet e fundit favorizojnë kryesuesit e Serisë A, që kanë marrë tri pikët edhe në sezonet 2005-‘06 dhe 2006-‘07. Milani nuk fiton në fushën e rivalëve që prej 27 shkurtit 2005. Në atë sfidë, të sezonit 2004-‘05, vendosi një gol i Kakasë në të 74-ën. Triumfi më i thellë në histori flet në favor të kuqezinjve, që më 11 maj 2001 fituan 6-0.