Fitou: Duhet të nisë dialogu për veriun
Diplomatët evropianë insistojnë se dialogu për veriun duhet të nisë së më shpejt që është e mundur. Ambasadori francez në Prishtinë, Jean-François Fitou, ka thënë se dialogu për veriun duhet të nisë sapo të arrihet një marrëveshje mes qeverisë dhe qytetarëve në veri të vendit. Ai nuk e përjashton mundësinë që edhe Serbia të jetë palë e diskutimeve.
Diplomati francez ka thënë se ai si ambasador i një shteti evropian nuk i ka kërkuar qeverisë së kryeministrit Thaçi që në dialog të përfshijë edhe partitë opozitare. Madje, ka thënë që nëse dikush përzihet në punët e brendshme të politikës kosovare, atëherë njerëzit e politikës duhet t`i rezistojnë ndërhyrjeve.
Të martën partitë opozitare kanë kundërshtuar idenë që të futen në ndonjë ekip qeveritar, qoftë edhe në ndonjë qeveri teknike, për dialogun e veriut.