E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitova një skuadër, Bogdani një lider

Xhani de Biazi

Trajneri i Kombëtares sonë, Xhani de Biazi, ka vlerësuar lojën e ekipit të tij duke bërë një rezyme të të dyja ndeshjeve, ndaj Katarit dhe Iranit. Të jemi me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë me këtë rrugë. Fituam në të dyja takimet miqësore që patëm, por gjykoj se skuadra ka ende për tu përmirësuar. Unë preferoj të mos jem më shumë seç duhet entuziast, ndaj gjykoj se duhet të punojmë vazhdimisht me kokën ulur, duke kërkuar gjithnjë më të mirën e mundshme në çdo ndeshje, – tha fillimisht tekniku i kuqezinjve. De Biazi i bëri një analizë edhe lojës së skuadrës, të cilën e ndau në dy tablo: atë të pjesës së parë, ku Shqipëria ishte e ngurtë dhe nuk arriti që të dilte në lojën e vet, dhe në atë të pjesës së dytë, kur kuqezinjtë u futën në fushë më me tepër besim në vetvete. Taktikisht luajtëm shumë mirë dhe lojtarët i zbatuan me përpikëri detyrat e tyre. Ndonëse duhet thënë se në pjesën e parë bëmë disa gabime dhe vuajtëm shumë si në aspektin mbrojtës, por edhe në organizimin e lojës sulmuese. Ndërsa në pjesën e dytë ishim disi më të kthjellët dhe më të qartë në veprimet sulmuese, – vijoi De Biazi. Tekniku ka prekur edhe debutimet e disa lojtarëve, duke i vlerësuar si mjaft pozitive. Unë jam me idenë se në ndeshje të tilla u duhet dhënë shansi të gjithëve. Ne duhet të kemi sa më shumë alternativa, sepse vetëm kështu shkojmë më të sigurt në takimet kualifikuese. Mdërkohë dua të them se dyert e Kombëtares janë të hapura për këdo që ka vlera dhe beson se mund të kontribuojë te kjo skuadër. Mjafton që secili të jetë i përgjegjshëm se po luan për fanellën e ekipit përfaqësues, – u shpreh italiani. Në fund, Xhani de Biazi dha një vlerësim për të tria repartet, si dhe për Erjon Bogdanin. Mbrojtja më pëlqeu shumë dhe mendoj se jemi goxha të ekuilibruar në këtë repart. Mesfusha në përgjithësi luajti mirë dhe krijoi volum të madhe loje, por duhet ende cilësi në këtë repart. Ndërsa sulmi, me Bogdanin, Çanin, Bakajn është i fituar. Aktivizimi i Bogdanit? Unë e njoh mirë atë lojtar dhe e di se me çfarë profesionisti kam të bëj. Erjoni e di mirë se kur i duhet skuadrës në fushë dhe kur i nevojitet në stol, – përfundoi De Biazi.

Alban Bushi
Menaxheri i Kombëtares shqiptare, Alban Bushi, e vlerësoi fitoren e skuadrës sonë ndaj Iranit, duke theksuar faktin se kundërshtari ishte të paktën në letër më i fortë. Në tërësi, Irani ishte më mirë se ne dhe këtë duhet ta pranojmë, pasi ata kanë lojtarë të mirë dhe janë ende në aktivitet. Ndërsa lojtarët tanë vijnë nga sezone imenjative dhe janë më të lodhur. E megjithatë, ne luajtëm si të barabartë me ata dhe arritëm që edhe të fitonim, duke treguar se në fushë nuk merret rezultat me emër, por me zemër. Berisha ishte në superformë, pasi priti dy-tri gjuajte të vështira, por edhe ekipi u përgjigj si duhet. Bogdani? Është një profesionist i vërtetë, – ka thënë Bushi.

Ervin Fakaj
Në rolin e analistit në studion e Supersport, ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Ervin Fakaj, ka qenë disi më i përmbajtur në analizën e bërë, duke theksuar se skuadra fitoi, por edhe vuajti shumë. Duhet ta pranojmë që ishte një fitore e vuajtur. Në repartin ofensiv ne nuk patëm mundësi që të luanim shumë topa, pasi ishte Irani që bënte lojën. Nuk bëmë shumë përpara, sidomos në pjesën e parë, ndaj gjykoj se këtu duhet që të fitojmë më tepër besim te vetja dhe të guxojmë më shumë. Jemi një skuadër me shumë lojtarë të rinj, por nga ajo që pashë, një pjesë e mirë e tyre kanë cilësi dhe tani u duhet veçse të fitojnë eksperiencën e duhur dhe të lënë pas emocionet, – komentoi Fakaj.

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›