E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mavraj i emocionuar: Faleminderit Shqipëri!

Mërgim Mavraj ndihet si në qiellin e shtatë dhe këtë mbrojtësi e tregoi më së miri në intervistën pas ndeshjes në stadiumin Inonu të Stambollit. Deri para pak kohësh ai konsiderohej si tradhtar, por me lojën e tij në dy takimet miqësore, ndaj Katarit dhe Iranit, Mavraj duket se i ka rregulluar përfundimisht marrëdhëniet me tifozët kuqezinj, të cilët e kanë përshëndetur fuqimisht në fund të takimit. Madje mbrojtësi, i emocionuar së tepërmi, nuk nguroi që ti merrte mikrofonin gazetarit të Supersportit, duke brohoritur së bashku me tifozët: O sa mirë me qenë shqiptar!, thirrje që tregoi edhe një herë se lojtari tashmë ka fituar statusin kuqezi në ekipin tonë përfaqësues. Kam luajtur dy ndeshje të mira me ekipin shqiptar, duke i fituar që të dyja, ndaj një debutim të tillë veçse mund ta kisha ëndërruar. Më  vjen shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre, fanellë që realisht e kam dashur prej kohësh. Arritëm dy fitore, me Katarin dhe sonte (dje) me Iranin, por kjo ishte edhe më emocionuese, pasi Irani është një skuadër shumë më e fortë se Katari. A e ndiej vetën tani pjesë të skuadrës? Unë gjithnjë kam qenë pjesë e kësaj skuadre, ndoshta jo fizikisht, por gjithnjë kam dashur të luaj për fanellën kuqezi. Që në ditën e parë të grumbullimit u ndjeva si në shtëpi dhe realisht jam i lumtur që edhe tifozët më mbështetën dhe ma bënë shumë herë më të bukur këtë debutim. Ata janë pjesë e fitoreve tona, ndaj meritojnë të gëzojnë sikundër edhe ne. Ia vlen që të brohorasim gjithnjë: O sa mirë me qenë shqiptar!, dhe të ndihemi krenarë për këtë gjë, – ka pohuar Mavraj. Mbrojtësi, i cili aktivizohet te Grojther Furth, skuadër që sapo është ngjitur në elitën e futbollit gjerman, është një nga pikat më të forta tashmë të ekipit tonë. Së bashku me Canën, ai tregoi një pjekuri aq sa me gjasa tani problemet do të jenë më së shumti për Admir Telin, i cili pritet që kur të kthehet në Kombëtare të ulet në stol.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›