Shqipëria i falet Vilës, mund Iranin

Iran-Shqipëri 0-1
Shqipëria ka fituar minimalisht ndaj Iranit në miqësoren e zhvilluar dje në Stamboll. Kuqezinjtë nuk bindën me lojën e tyre, por gjithsesi arritën të merrnin një rezultat pozitiv ndaj aziatikëve. Mjaftoi një gjuajtje e mrekullueshme e Vilës nga jashtë zonës në minutën e 60-të për të vulosur fatin e takimit dhe për ti dhënë akoma më shumë zemër skuadrës për ecurinë e mëtejshme. Shqipëria luajti me një sulmues të vetëm të deklaruar dhe me një mesfushë të mbipopulluar, e cila duhet thënë se dha rezultatin e kërkuar. Ndërkohë janë për tu vlerësuar debutimet pozitive të Etrit Berishës dhe Mërgim Brahimit. Në fraksionin e parë të lojës Shqipëria qarkulloi topin, por pa rrezikuar thuajse asnjëherë seriozisht portën e Iranit. Kuqezinjtë e patën mjaft të vështirë, duke treguar se e vuajnë mungesën e një organizatori dhe ndërlidhja mes mesfushës e sulmit ishte thuajse e pamundur. Me gabime të shpeshta në pasime dhe me një Hyka që nuk arriti të mbështesë as mesfushën dhe as sulmin në pjesën e parë, e vetmja mënyrë që Çani u furnizua me topa, ishin pasimet e gjata nga mbrojtja. Ndërsa për fat të mirë nuk stonoi mbrojtja, e cila si rrallëherë në ndeshje të tilla ndaj një rivali si Irani (32 vende mbi ne në renditjen FIFA), nuk bëri thuajse asnjë gabim. Skuadra e drejtuar nga Karlos Keiroz tregoi nivel të lartë, si fizik, ashtu edhe kualitativ, me aksione të qarta, por që gjithsesi nuk krijuan ndonjë rast të mirë për shënim. Në fraksionin e dytë të lojës trajneri i Kombëtares, De Biazi, hodhi në fushë Sadikun, duke u kthyer te skema me dy sulmues. Kjo gjë dha edhe frytet e veta, pasi Çani me Sadikun në krah e kishte më të lehtë që të krijonte panik te zona e aziatikëve. Kështu, në minutën e 60-të, pas një sulmi pa shumë pretendime, Bakaj kroson në zonë aty ku Çani bën torren, duke ulur topin për Sadikun. Ky i fundit e devijon aq pak sa i nevojitet Vilës i cili gjuan me të djathtën potente, gjuajtje e cila përfundon në cepin e djathtë të mbrojtur nga portieri iranian. Kaq mjaftoi që skuadra të motivohet akoma më shumë dhe të bëjë një lojë më të ashpër, për të mbrojtur rezultatin. Bakaj, Zeqiri, Vila e mbi të gjitha portieri i ri Ertrit Berisha ishin disa prej atyre që spikatën në minutat në vazhdim, por ajo që bëri diferencën ishte mbrojtja e kujdesshme. Sakaq, tekniku De Biazi pati rastin për të hedhur në fushë edhe Agollin, Veliajn, Mërgim Brahimi dhe Zeqirin duke u dhënë jo vetëm nga një shans këtyre të fundit, por duke ulur edhe ritmin e kundërshtarit me ndërprerjet e gjata të lojës. Rezultati u mbrojt mirë deri në fund, falë dhe një mbrojtje solide, duke vulosur suksesin 1-0 për një tjetër sukses në miqësore, që shërben kryesisht për moralin për sa u përket përgatitjeve për Brazil 2014.
Skeda
IranShqipëri 0-1
Goli: Vila 59
Kartonë të verdhë: Ansarifard, Poladi, Nekounam/ Veliu
Gjyqtar: Hysein Goçek (Turqi)
Irani: Hagigi, Hajsafi (Poladi 46), Hoseini, Montazeri, Nekounam, Mahini (Aghili 84), Teimurian, Nouri (Hejdari 57), Jabari (Dehnavi 77), M.Ebrahimi (Rezai 68), Ansarifard (Karimi 66). Trajner: Karlos Keiroz
Shqipëria: Berisha, A.Lila, Cana, Mavraj, Veliu, Bakaj (Brahimi 79), S.Lilaj (Zeqiri 61), Bulku (Veliaj 92), Vila (Osmani 87), Hyka (Sadiku 46), Çani (Agolli 68). Trajner: Xhani De Biazi
Berisha dhe Brahimi, dy debutuesit
Portieri 23-vjeçar, Etrit Berisha, si dhe mesfushori 19-vjeçar, Mërgim Brahimi, kanë luajtur dje për herë të parë me fanellën e Kombëtares shqiptare. Debutimi i dy lojtareve të rinj kosovarë ka përkuar edhe me një fitore të Shqipërisë ndaj Iranit. Paraqitja e portierit Berisha ishte e shkëlqyer, pasi e shpëtoi portën në jo pak raste. Trajneri De Biazi ia kishte besuar portën që nga minuta e parë kosovarit shtatlartë. Ndërkaq, mesfushori i ardhur nga ekipi Shpresa, Brahimi, u fut në fushë në minutën e 79-të, duke zëvendësuar Bakajn. Në 11 minuta, pa përfshirë kohën shtesë, Brahimi bëri maksimumin, por kishte më shumë detyra mbrojtëse.
300 tifozë në mbështetje të kuqezinjve
Nuk kanë pushuar së përkrahuri Shqipërinë për 90 minuta. Në fund, janë gëzuar pa masë për fitoren që u ka dhuruar skuadra kuqezi. Rreth 300 tifozë shqiptarë, të cilët jetojnë në Turqi, kanë qenë dje të pranishëm në stadiumin Inonu, ku luan ndeshjet skuadra e Beshiktashit. Shumica e tyre ishin kosovarë, teksa gjatë takimit nuk munguan thirrjet për vendin e tyre. Gjithashtu, krahas mbështetjes së ekipit dhe brohoritjeve në kor, veçanërisht për kapitenin Lorik Cana, spikasin edhe thirrjet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët kuqezinj ndanë disa minuta me tifozët, duke u përshëndetur.
Berisha: Emocione të papara, do konkurroj Ujkanin
Portieri kosovar i Kalmarit, Etrit Berisha, në një bisedë pas ndeshjes me Iranin pohoi se e konsideronte një privilegj faktin që luajti si titullar që në ndeshjen e tij të parë me kuqezinjtë. Në takimin e parë me Katarin në Madrid unë mungova për shkak të angazhimeve në klub, pasi ishte ndeshja e fundit e fazës së parë dhe jo për diçka tjetër, por më erdhi mirë që për ndeshjen e dytë të Kombëtares trajneri më aktivizoi që nga minuta e parë. Ndihem vërtet i emocionuar dhe për disa minuta ndihesha si i ndrydhur, pasi nuk arrija ta besoja që po luaja me fanellën kuqezi. E them pa drojë se e kam konsideruar si një privilegj faktin që trajneri më dha një rast të tillë, që të luaja titullar me Kombëtaren. Kjo skuadër për mua është gjithçka dhe e kam pasur një ëndërr të cilën më në fund e realizova, – ka thënë portieri kosovar i Kalmarit në kampionatin suedez të futbollit. Më tej ai vlerësoi mbështetjen e tifozëve edhe deri në Stamboll dhe dëshirën për të kontribuar për Kombëtaren.
Armando Sadiku, një ditëlindje me fitore
27 maj 1991-27 maj 2012. Dje Armando Sadiku festoi edhe ditëlindjen në fushën e lojës, paçka se nuk arriti që të realizonte një gol me fanellën kuqezi. Sulmuesi 21-vjeçar ka treguar një formë të jashtëzakonshme këtë sezon te skuadra e Lokarnos në kampionatin zviceran të futbollit, ku ka shënuar 19 gola, duke e mbajtur këtë skuadër në Kategorinë e Parë. Pikërisht kjo gjë, por edhe loja e bukur me Shpresat, bëri që trajneri De Biazi ta grumbullonte në përfaqësuese. Ndërsa dje ai luajti një pjesë të plotë loje (u fut në minutën e 46-të në vend të Hykës) dhe u mundua që të rrezikonte në portën e Iranit.
LEONARD KARAJ