E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Fituan 4 milionë euro përmes mashtrimit kompjuterik, pranga dy vëllezërve në Tiranë

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Policia e Shtetit përmes një njoftimi zyrtar sot për mediet informon se Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kompjuterike dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të një procedimi penal të SPAK, kanë finalizuar operacionin e koduar “Double click”.

Përmes këtij operacioni janë vënë në pranga dy vëllezër që akuzohen se kanë kryer mashtrim kompjuterik ndaj shtetasve italianë, prej të cilit kanë realizuar fitime rreth katër milionë euro. Të dy personat janë arrestuar me qëllim ekstradimin në Itali.

Gjatë operacionit “Double click”, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit A. S., 32 vjeç, banues në Vlorë dhe Sh. S., 42 vjeç, banues në Tiranë. Këta shtetas akuzohen për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer më shumë se një herë, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Vijon bashkëpunimi me partnerët italianë për ekstradimin e dy shtetasve.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›