Fitues vetëm nga zëri
Që Top Channel po përgatit një show të ri për këtë sezon, i cili mban emrin Voice of Albania, kjo tashmë nuk është më një risi. Për tu zbuluar detaje të tjera interesante, ne menduam që për këtë të pyesnim njeriun që qendron pas këtij show, Rezart Agën.
Që të bësh intervistë me Rezin (po e thërrasim dhe ne shkurt si miqtë dhe kolegët) nuk është e lehtë. Janë në kulmin e përgatitjeve për show-n dhe intensitetin e punës e kupton fare lehtë nga zile telefoni që nuk pushojnë dhe nga trokitje të vazhdueshme në derë. Megjithatë, ne i vodhëm kohë të mjaftueshme për të shuar disa kuriozitete tonat e tuaja bashkë.
Voice of Albania (Zëri i Shqipërisë) pritet të nisë transmetimet në mes të këtij muaji, në tetor. Është një program 17 javësh, nga të cilat 5 javë do jenë audicionet e fshehura. Kjo do të thotë që autorët dëgjojnë veten, zërin e tyre dhe përzgjidhen nga juria, por që juria vetë nuk ka të drejtë të shohë konkurrentët. Në bazë të spektaklit do të jenë 4 trainerë, Miriami, Sidriti, Alma, dhe Eltoni që do të jenë kapitenët e ekipeve. Çdo trainer do të përzgjedhë 14 konkurrentë. Do të jetë një garë mes konkurrentëve por, sidomos e trainerëve mes tyre për të zgjedhur zërat më cilësorë. Sigurisht që juria, nuk do jetë ajo klasikja që vlerëson konkurentët. Trainerët këndojnë live me skuadrën e tyre.
Pasi janë përzgjedhur 14 konkurrentët, kalohet në fazën e dytë.
Kur të shihni transmetimet e fazës së dytë, mos u frikësoni nëse shihni një ring boksi. Nuk do kenë ndërruar mendje që nga show me këngë, ta kenë kthyer në arenë boksi. Jo. Është pikërisht kjo mënyra që është zgjedhur për këtë fazë konkurrimi.
Do këndohet në ring boksi dhe do jetë një konkurrim në kohë reale, ku vetë traineri do bëjë përzgjedhjen mes anëtarëve të tij. Si një kapiten, i cili vendos se cilin marinar të hedhë nga anija, që të mund të lundrojnë më tej!
Me kalimin e fazave, rriten dhe elementët e vështirësisë si psh: do ndryshojë numri i elementëve orkestrale.
Në fazën e parë ka 4 elementë orekstralë, ndërsa në fazën finale do ketë 12, grup kori, elementë show me balerinë etj.
Rez, kush e bën përzgjedhjen e këngëve dhe të konkurrentëve gjatë këtyre fazave?
Traineri është ai që bën sugjerime bashkë me asistentin, (sepse çdo trainer do të ketë dhe një asistent), mbi këngën që duhet të zgjedhin konkurrentët. Por kjo nuk do të thotë që publiku del jashtë loje. Në të gjitha fazat hyn në lojë publiku dhe përveç mendimit të trainerit, është publiku që voton nëse një konkurrentët duhet të rrinë apo të largohen.
Ndërsa në fazën finale, ku do ketë 4 konkurrentë, një konkurrent për çdo trainer, aty vendos tërësisht publiku.
Mund të na zbuloni ndonjë risi tjetër, përsa i përket konkurrimit?
Risi tjetër e këtij show është që gjatë gjithë kohës do të jetë në transmetim live Voice Room. Konkurrentët do kenë një përballje online me publikun. Me fjalë të tjera kjo do të thotë që konkurrentët do të mund të shohin live votimin dhe gjithçka tjetër.
Si është bërë mënyra e përzgjedhjes së konkurrentëve dhe a ka ndonjë limit moshe?
Ne kemi vendosur një limit moshe, nga 15 – 40 vjeç, por prurjet janë të moshave të ndryshme. Mund të them që mosha mesatare është 26 vjeç. Faza e audicioneve është kaluar në disa qytete dhe në disa të tjera do ripërsëritet për shkak të numrit të madh të kërkesave. Ne kemi mbyllur audicionet në Korçë, Shkodër, Fier, Prizren, Gjakovë. Ndërsa në Tiranë na është dashur të bëjmë 2 faza audicionesh.
Në të njëjtën kohë kemi një grup që punon me përzgjedhjen në Prishtinë dhe në Maqedoni.
Mënyra tjetër nga mund të aplikohet, janë ato online, të cilat janë një risi më vete. Ka një sistem aplikimi online ku çdonjëri nga ne mund të regjistrojë zërin e tij dhe më pas ta hedhë në sistem. Sistemi është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të jep një numër pikësh, e nëse ky numër pikësh e kalon nivelin 7, atëherë ne e thërrasim aplikantin për ta dëgjuar.
Rezart, njëkohësisht është duke u punuar për një show tjetër X Factor i cili do transmetohet në Tv Klan. Në pamje të parë, duket sikur janë e njëjta gjë. Çfarë ndryshimesh ka realisht mes X Factor dhe Voice of Albania?
Ndryshe nga X Factor starti i këtij show nuk fillon me dëshirën për të hipur në skenë. Voice of Albania është një shkollë, më shumë se një konkurrim. Konkurrentët do mësojnë si punohet me një orkestër live, si duhet të sillesh në skenë, si të japësh intervista, si bëhen videoklipet, etj. Është shumë televiziv si show. Ka thyerje të forta, faza eleminimi, audicione të fshehura, etj.
Patenta e Voice of Albania është marrë nga e njëjta kompani që bën X Factor. Fillimisht ne kemi dashur të bënim pjesë të spektakleve tonë X Factor, por kur pamë Voice kemi ndërruar menjëherë mendje. Dhe të mendosh që këtë gjë nuk e kemi bërë vetëm ne. Janë shumë vende të botës që kanë ndërruar kursin.
Më besoni, ky show ka shumë elemente televizive. Skena do të ndryshojë disa herë dhe sa më shumë rritet konkurrenca dhe elementët televizivë, aq më shumë do rritet dhe numri i publikut në sallë.
A ka Shqipëria talente për dy spektakle njëkohësisht?
Ne nuk duam të tregojmë se sa talente kemi gjetur, ne duam të tregojmë se si kanë ndryshuar këta talente gjatë performancës së tyre.
Përsa i përket përzgjedhjes së trainerëve. Pse pikërisht këto emra?
Trainerët janë zgjedhur për shkak të profesionalizmit të tyre. Juria ndërton raporte me publikun. Ne deri tani kemi pasur eksperiencë pozitive me jurinë, ndaj edhe këtë herë shpresojmë të mbetemi brenda traditës. Pra një juri profesioniste, e cila di të ndërtojë marrëdhënie me publikun, di të japë mendime profesionale dhe të falë njëkohësisht show.
Dhe një pyetje që kurrsesi nuk mund të rrinim pa ua bërë. Çfarë shpërblimi do ketë për fituesit?
Ne kemi mbyllur një kontratë me Universal Music, ku kjo kompani do të marrë në dorë menaxhimin e finalistëve, do të prodhojë këngë me ta e do ti promovojë nëpër kompeticione ndërkombëtare muzikore, etj. 8 finalistë do të jenë automatikisht pjesëmarrës në Top Fest me këngë të kompozuara nga ne. 4 fituesit e parë, përveç këngës, do të kenë dhe një klip të realizuar nga ne dhe do të jenë në të gjitha spektaklet tona, të punësuar për 1 vit. Përveç këtyre do të ketë një çmim të madh financiar dhe pjesëmarrje në një eveniment ndërkombëtar, të cilin nuk dua ta bëj publik në këtë fazë.
Juria dhe Ledioni
Elementi kryesor i Voice of Albania është juria, por një moderator i shkathët do të jetë pjesë integrale e spektaklit, Ledion Liço.
Ledion… përzgjedhja si drejtues ishte një befasi, apo e pritur nga ana juaj?
Ishte pak nga të dyja në fakt. Shtysën e parë e dha miku im i mirë Eno Popi, i cili kishte shumë dëshirë që unë të merresha me këtë program. Unë e dija që emri im ishte propozuar, por nuk e dija që ishte bërë zgjedhja. Kështu njeriu mbrapa The Voice, Rezart Aga, vendosi të ma ‘thoshte’ përmes një shakaje në transmetim direkt në Wake UP.
Çfarë mendoni se do të ofrojë ky show, duke qenë se jeni në dijeni të detajeve që publiku ende nuk i di?
Emocion pozitiv, për të cilin të gjithë kemi më shumë se kurrë nevojë. Pas një polarizimi të dukshëm gjithandej, dhe pas orvatjeve të secilit prej nesh për