Fituesi i Champions, shi milionësh prej suksesit
Një studim ndërkombëtar ka bërë të ditur se fituesi i Ligës së Kampioneve do të përfitojë më shumë se 85 milionë sterlina nga sponsorizimet, të drejtat televizive, vlerat më të larta të kartonit të lojtarëve dhe rritjet e shitjes së biletave. Studimi, i organizuar nga sponsori i aktivitetit "MasterCard", tregon se edhe qyteti i skuadrës fituese mund të përfitojë rreth 10 milionë sterlina nga rritja e turizmit, shpenzimet e konsumatorëve dhe tregtia. Edhe Moska, qyteti ku u zhvillua finalja "britanike", përllogaritet të fitojë 35 milionë sterlina. "Finalja e Ligës së Kampioneve 2008 është më e madhja në aspektin e përfitimeve ekonomike, me një impakt që mund të kapë shifrën e 210 milionë sterlinave", deklaroi Saimon Çeduik i Universitetit të Koventrit, ku u zhvillua ky studim. Përfitimi prej 85 milionë sterlinash, nuk përfshin rreth 30 milionë sterlinat që fituesja e trofeut fut në arkat e saj nga UEFA. Sipas përllogaritjeve, çdo tifoz anglez që ka udhëtuar drejt Moskës për të ndjekur finalen, ka shpenzuar 624 sterlina në ditë. Në total, tifozët anglezë kanë marrë me vete rreth 40 milionë sterlina për t‘i shpenzuar në kryeqytetin e Rusisë gjatë këtyre ditëve.