Kristiano Ronaldo, "po" transferimit në Madrid
Mediat madrilene vazhdojnë presingun mbi Kristiano Ronaldon. Sipas së përditshmes sportive "Marca", mesfushori portugez ka pranuar transferimin te Reali i Madridit. Megjithatë, gazeta saktësonte se klubi i drejtuar nga Ramon Kalderon duhet të përballet me rezistencën e Sër Aleks Ferguson, i cili nuk dëshiron të privohet nga ylli i tij. "Kristiano përgjigjet: Po, dua. (Megjithatë, Mançester Junajted thotë: Nuk dua)". Ky ishte titulli i madh i "Marca"-s, e cila mban ende të ndezura shpresat për lojtarin e preferuar të "merengues". "Futbollisti i ka komunikuar Realit të Madridit se do të ishte shumë i lumtur të luante këtu sezonin e ardhshëm. Por Ferguson është përgjigjur në mënyrë të prerë: Vë bast çfarë të doni se Ronaldo do të qëndrojë me ne", citonte gazeta. Aty thuhej edhe se drejtori i përgjithshëm i skuadrës së kryeqytetit spanjoll, Predrag Mijatoviç, do të takohej me lojtarin pas finales së Ligës së Kampioneve, që u luajt dje në Moskë. Interesimi i madrilenëve për portugezin vjen pas deklaratës së javës së kaluar, ku lojtari pohonte se do të fliste rreth së ardhmes pas ndeshjes kundër Çelsit. Ndërkohë, gazeta "As" bënte të ditur se objektivi i ri i Realit është mesfushori i Arsenalit, Aleksander Hleb.