Fituesi i vërtetë i luftës në Irak
Nga Kristal Hykaj*
Me 21 Dhjetor 2011 Presidenti i Amerikës Barack Obama i uroi mirëseardhjen në bazën ushtarake Fort Bragg trupave të fundit amerikane që shërbenin në Irak që nga nisja e luftimeve, në Mars 2003. Sot kanë kaluar mbi 10 vjet prej asaj dite dhe kostot financiare janë të pallogaritshme. Por mbi të gjitha mijëra jetë të humbura, qofshin amerikane, irakiane ose të çdo kombësie tjetër e bëjnë këtë luftë tejet të përgjakshme duke errësuar barrën financiare që rëndon e do të vazhdojë të rëndojë mbi qytetarët e Shteteve të Bashkuara e duke errësuar kostot edhe sakrificat që do të duhen për të rimëkëmbur shtetin e plagosur e të thërrmuar Irakian.
Përcaktimi i kostos së saktë të shpenzimeve të luftës është një çështje tejet e ndërlikuar gati-gati e pamundur, por njëkohësisht, edhe një çështje shumë e ndjeshme politike. Mosmarrëveshjet lidhur me luftën në Irak kanë marrë një dimension të ri, ndërsa ekonomistët dhe politikanët ngrenë shqetësime përherë e më të mëdha lidhur me çështjen, se sa shumë po u kushton ajo taksapaguesve amerikanë. Ekonomistët thonë se përcaktimi i shifrave të sakta është një problem i komplikuar dhe mes tyre ka mosmarrëveshje të mëdha lidhur me koston reale. A duhen thjesht përfshirë shifra të cilat janë shpenzuar për armatosjen edhe mirëmbajtjen e ushtarakëve? A duhen thjesht kalkuluar shpenzimet mjekësore që do tu nevojiten ushtarakëve për vite me rradhë? Apo duhen përfshirë edhe kostot e riatdhesimit, e ri-përfshirjes së këtyre individëve në jetën e përditshme? Këto janë disa nga pyetjet më themelore, disa nga pyetjet që ngrejnë debate të pafundme, përgjigjet e të cilave duken kilometra larg. Përpos së gjithave a ka model ekonomik i cili mund të kuantifikoj dramën emocionale të familjarëve të ushtarëve që kanë përjetuar tashmë një çmim të lartë, tejet të lartë, atë të humbjes së jetës së djemve dhe vajzave të tyre. Një pikë në të cilën ekonomistët arrijnë të bien në konsensus është fakti që barra financiare e luftës në Irak do të transferohet edhe tek brezat e ardhshëm.
Shpenzimet e luftimeve në Irak mendohet tu kenë kushtuar Amerikanëve diku tek $3 trilion duke marrë parasysh kujdesin mjekësor të veteranëve të plagosur dhe riparime të shtrenjta për një forcë të varfëruar nga më shumë se një dekade luftimesh, edhe kurrkund në horizont nuk shihet që këto kosto të ulen ose të zhduken në një të ardhme të afërt. Qeveria ka rritur pensionet ushtarake në fund të vitit 2001 në mënyrë që të rriste numrin e ushtarëve te rinj. Si pasojë e këtyre zgjedhjeve shpenzuese të kohës së luftës, Shtetet e Bashkuara do të përballen me kufizimet në financimin e investimeve në personel dhe diplomaci hulumtim dhe zhvillim dhe iniciativave të reja ushtarake. Trashëgimia e vendimeve të marra gjatë luftërave në Irak dhe Afganistan do të dominojë buxhetet e ardhshme federale për dekadat që do të vijnë.
Anët pozitivetë luftimeve në Irak
Në termat ekonomik duket qe fituesi i vërtetë i luftës në Irak është Turqia. Edhe pse marrëdhëniet midis dy vendeve janë disi të ngrira, eksportet e Turqisë drejt Irakut në dhjetë vitet e fundit janë rritur me 25% në vit, duke arritur në 2012 në vlerën e 10.8$ miliard. Për Turqinë, Iraku është tregu i dytë më i madh, pas Gjermanisë. Një numër i madh projektesh është realizuar nga kompani turke të cilat operojnë në tregun iraken. Gjiganti turk Calik Energy, i cili operon dhe në vendin tonë ka ndërtuar dy projekte të mëdha energjetike, dy turbina gazi, një në Mosul dhe një në Karbala. (Ref: Ëashington Post).
Vlen për tu përmendur fakti se në veriun e Irakut, aty ku popullsia është kurde, është dhe konsumi më i lartë i mallrave turke, rreth 70% e totalit të eksporteve turke. Por, gjithmonë mbeten problematike, raportet politike midis Bagdadit dhe Ankarasë, të cilat pas tërheqjes së trupave amerikane në dhjetor të 2011 kanë arritur në një pikë bllokimi, sepse në ato momente dhe Iraku zyrtar iu referua Turqisë si Shtet armiqësor për ndërhyrjen e saj në qytetet irakene me banorë kurdë, ku sipas irakenëve kjo ishte një e fryrë e zjarrit ndaj tensioneve etnike.
Prandaj, sot qeveria irakene, po përpiqet të pengojë zgjerimin e firmave turke në Irak, pra lidhjen e kontratave të reja për projekte të reja, kjo me qëllim për te penguar influencën e tyre në Irak. Një shembull konkret i këtij akti, është dhe kompania turke Tpao, kompani nafte, e cila një vit më parë, u përjashtua nga Iraku gjatë kërkimeve për naftë. Një shprehje e urtë e popullit tonë thotë kur zihen dy vetë, fiton një i trete. Të paktën lufta në Irak tregoi që trashëgimia jonë e fjalëve të urta popullore aplikohet edhe përtej kufijve.
*Pedagog i Makroekonomisë, Fakulteti Ekonomik i Tiranës.