Ndryshime të marrëdhënieve të qytetarit me shoqërinë
Nga Gëzim Tushi
Besoj se është koha e natyrshme që kërkon në mënyrë imperative vendosjen në qendër të debatit social dhe diskutimeve sociologjike të çështjeve që kanë të bëjnë me problemet e raporteve dhe marrëdhënieve që ka, apo që duhet të ketë qytetari me shoqërinë e vet, për ndërlikimet e modernitetit në ndryshimet thelbësore të relacioneve sociale dhe personale, për madhësinë e shoqërisë dhe identitetin e papërsëritshëm të qytetarit. Kjo kërkon, në se duam të mos ngatërrojmë veten, të tjerët dhe shoqërinë, të largohemi me vendosmëri nga idetë e vjetra sociologjizante paramarksiste, marksiste dhe post-marksiste, të cilat kanë ngulitur në kokën e njerëzve idenë e hipertofizuar, sipas së cilës se çfarëdo gjëje që bëjnë dhe që janë qeniet njerëzore, ajo ndodh në shoqëri dhe përcaktohet vetëm dhe tërësisht prej saj.
Kjo ide malinje, e fortë, ndikuese dhe tradicionale në shoqërinë tonë të epokës së socializmit totalitar është e shumë rrezikshme, tejet e pavërtetë, krejtësisht e papranueshme për qytetarin e kohës moderne. Ajo, sipas meje, duhet vënë në shënjestrën e fortë të kritikës asgjësuese, si ide që ka përgjegjësinë gati absolute në krijimin në shoqërinë tonë dhe në marrëdhëniet e saj sunduese me qytetarin të situatave sociale paralizuese dhe atrofizuese. Ne na duhet të ecim, madje të përshpejtojmë, duke u larguar nga idetë e ndryshkura sociologjizante të materializmit të dështuar historik. Është imperative që të ndikojmë me të gjithë mjetet dhe mundësitë për ta orientuar shoqërinë dhe qytetarët tanë të ecin në rrugën e duhur të ndikimeve dhe efekteve të modernitetit. Kjo bëhet vetëm duke i hapur rrugë teorike dhe empirike, realizimit të ndryshimeve të thella që i duhen shoqërisë tone, që të ecë e vendosur drejt standardeve universale të shoqërisë moderne, si tipologji dhe mënyrë e re e bashkëjetesës së saj me qytetarin.
Sepse akoma ndihen ndikimet deformuese të idesë së vjetër dhe të ekzagjeruar e së kaluarës tonë, se njeriu është vetëm dhe tërësisht qenie shoqërore. Kjo ka ndikuar dhe ka sjellë pasoja të përbindshme, antihumane në unifikimin e statusit social, dëmtimin e individualitetit dhe personalitetit të veçantë të njeriut konkret.
Tani jetojmë në epokë tjetër, esencialisht të ndryshuar, ndoshta të përmbysur krejt. Vendin e shoqërisë superkolektiviste po e zë shoqëria e organizuar në parimet modern të individualizmit social. Shoqëria shqiptare ka kaluar dhe po kalon tronditjet e thella që vijnë nga tranzicioni dhe vështirësitë e kalimit nga një tip shoqërie dhe marrëdhënie me qytetarin, në një tip të ri, që i ka ndryshuar radikalisht marrëdhëniet dhe raportet e vjetra deterministe, të fiksuara në shoqërinë shqiptare të së kaluarës në mënyrë të ngurtë, e fiksuar nga dogma sociologjizante e karfosjes me dhunë të njeriut si qenie boshe, në vakumet e përgatitura të shoqërisë së tij.
Por nga ana tjetër duke folur në këtë mënyrë dhe duke vlerësuar ndryshimet që po ndodhin në raportet e shoqërisë tonë moderne dhe lidhjet e reja të saj me qytetarin individualist, nuk mund të neglizhojmë nevojën e ekzistencës dhe funksionimit të disa paradigmave të reja, që duhet të jenë efektive dhe të funksionojnë në lidhjet e reja të shoqërisë me qytetarin. Problemi është që të jemi koshientë për mënyrat dhe format e reja modern të sigurimit të këtyre lidhjeve në kohën tonë, midis shoqërisë dhe qytetarit. Të cilat nuk kanë farë ngjajshmëri me format dhe mënyrat e lidhjes në shoqërinë tradicionale kolektiviste të së kaluarës.
Padyshim, ne si shoqëri jemi të shqetësuar që në tipologjinë e këtyre lidhjeve të shoqërisë me qytetarin, në format e shfaqjes së realizimit të tyre, ndihen qëndrime të skajshme, njëanshmëri dhe veprime ekscentrike që cenojnë dhe dëmtojnë thelbin dhe domosdoshmërinë e ekzistencës patjetër të një niveli të caktuar të formave modern të socialitetit, të një niveli optimal, të vërtetë dhe të arsyeshëm në lidhjet e qytetarit me shoqërinë e tij. Ka një situatë konkrete dhe shumë problematike në lidhjet e shoqërisë me qytetarin në vendin tonë, e cila e vlerësuar në pikëpamje sasiore dhe cilësore duket krejt e deformuar. Madje, sot situata i shfaq problemet e marrëdhënieve të qytetarit me shoqërinë, në nivele të larta anomalie, që do të duhet të vlerësohej objektivisht jo aq nga sociologjia se sa nga paradoksologjia.
Qëndrimet e njëanshme janë evidente dhe të pranishme në mënyrë intensive në mënyrën e të menduarit dhe në praktikat sociale të sjelljes së qytetarëve në shoqërinë shqiptare sot. Amplituda e konceptimeve, përfytyrimeve dhe zgjidhjeve sociale dhe individuale është shumë e gjerë. Që nga idetë e vjetra të trashëguara nga shoqëria jonë e së kaluarës që vazhdon të sjellë në qytetërimin tonë kulturën sociale të mbivlerësimit të rolit të socialitetit të shoqërisë mbi individualitetin e qytetarit, apo të mbivlerësimit të rolit të qytetarit atom mbi shoqërinë duke denigruar nevojën e natyrshme të ekzistencës së lidhjeve sociale qytetare. Ky ekuacion social që është duke ndryshuar kahun dhe format e realizimit, ka sjellë sat ë mira në modernizimin e jetës po aq dhe kokëçarje në mënyrat e organizimit të jetës qytetare. Praktikisht jemi në një situatë ambiguide dhe me shumë paqartësi për masën e ekzistencës dhe funksionimit të ekuacionit midis shoqërisë dhe qytetarit. Kjo do të thotë që janë evidente qëndrimet dhe vlerësimet e njëanshme antidogmatike që janë kundër nevojës së ekzistencës së shoqërisë së madhe me qytetar të vogël por dhe të ideve superliberale që mohojnë rolin, funksionet dhe domosdoshmërisë e ekzistencës së shoqërisë, lidhjeve sociale dhe aftësive të qytetarit për socialite dhe sociabilitet.
Problemi është që duke dashur të vëmë në plan të parë vlerat e qëndrueshme të shoqërisë në raport me kënaqësitë kalimtare të qytetarit si individ me identitet më vete dhe të përcaktuar, nuk duhet të kjo tezë e vjetër sociologjizante e veshur me ambalazhet e materializmit historik nuk duhet të na çojë në përfytyrime idealiste e utopike, të vlerësimit të kontributit individual të qytetarit për shoqërinë e tij, në të cilën jeton. Nuk mund të ndërtohet shoqëria modern shqiptare, duke harruar një të vërtetë të fundme, që lidhje sociale janë po aq të domosdoshme sa dhe kontributet personale.
Ato janë formula bazë që të ndërtojmë shoqërinë e qëndrueshme të lidhur me qytetarin aktiv dhe me personalitet individual. Kjo do të thotë që shoqëria shqiptare, e rindërtuar tashmë mbi bazën e platformës së lidhjeve dhe marrëdhënieve liberale me qytetarin e vet, nuk mund të neglizhojnë dhe anulojnë të vërtetën që tash e tutje do të jetë e vërtetë e përjetshme e shoqërisë tonë, sipas të cilës duhet të mësohemi dhe të pranojmë që njeriu është instrumenti lidhës i kënaqësisë personale, qoftë edhe të atyre që mund të jenë kalimtare, me kontributet e tyre të lidhura me vlerësimin e qëndrueshmërisë së shoqërisë.
Ka një shekull që sociologët e modernitetit janë munduar të bindin qytetarët dhe shoqërinë, për të kuptuar nevojën e lidhjeve të reja midis tyre, për të krijuar një raport më dinamik, të drejtë midis kënaqësive të vogla të jetës së përditshme individuale dhe vlerave më universal dhe më të qëndrueshme të shoqërisë. Unë besoj se edhe sot këto ide janë aktuale. Ato meritojnë vëmendjen tonë në interepretimin e fenomeneve të sotme të jetës individualiste, qytetare dhe sociale të shoqërisë tonë. Sepse megjithë ndikimet e forta të individualizmit në jetën moderne qytetare në asnjë mënyrë nuk mund të mendohet se mund të funksionojë jeta pa ndërtuar institucionet e nevojshme të jetës sociale. Kjo është arsyeja që sociologët e modernitetit mendojnë se ato janë të domosdoshme në se e marrim seriozisht idenë e shoqërisë si sistem i paanshëm kooperimi ndërmjet qytetarëve të lirë dhe të barabartë dhe nga një brez në tjetrin. (John Rawls, Drejtësi