E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanuni në fotonovelat franceze

 
Kanuni i Lekë Dukagjinit ka përfunduar në fotonovelat franceze. Shtëpia Botuese “Glenat” po boton një seri me titullin “Ligji i Kanunit”
Histori të tilla janë të rralla. Faqet e tyre mbushen përgjithësisht nga imazhet e Supermenit, Batmanit, Njeriut-Merimangë…, heronjve të krijuar në kohërat moderne. Njerëz të bukur, të fuqishëm që bëjnë mrekullira. Nuk mungojnë romancat dashurore, që tërheqin më së shumti gjininë femërore. Pak, apo aspak të përhapura në Shqipëri, përveç rasteve të libërthave me figura për fëmijë, fotonovelat janë tepër të përhapura në Itali, Spanjë, Kanada… deri në Amerikën Veriore dhe atë Latine. Një ndër vendet ku këto lloj revistash të ilustruara me vizatime, apo fotografi, janë tepër të preferuara nga të gjitha moshat, është edhe Franca, ku pikërisht dy ditë më parë ka dalë një numër i ri.
Në botimin e një fotonovele, apo fumetti, siç i thonë italianët, nuk ka asgjë të veçantë, përpos faktit që tema vjen pikërisht nga Shqipëria. Prej tre vjetësh skenaristi 44-vjeçar Jack Manini, i cili e ka nisur karrierën e tij fillimisht në faqet e gazetave dhe revistave, si dhe dizanjatori Michel Chevereau, bashkëpunojnë me shtëpinë botuese “Glenat”, duke hedhur në treg serinë e revistave “Le Loi de Kanun”, (“Ligji i Kanunit”).
Që nga titulli kuptohet fare qartë se gjithçka vërtitet rreth Kanunit të Lekë Dukagjinit, gjakmarrjes, betimit të grave për t’u kthyer në burra, për të mbajtur shtëpitë e shuara nga gjaksi…
Teksa kanë parë tregun e mbushur me histori vanitoze dhe figura të konsumuara, autorët kanë kërkuar të gjejnë diçka më të vërtetë, por në të njëjtën kohë edhe “ekzotike” dhe të parrokshme nga mendjet e francezëve. Jack Manini merr shkas nga ligjet e maleve, ndërsa nuk ngurron që tu lidhë edhe fakte, apo fenomene, që mund të mos kenë fare lidhje me Shqipërinë e periudhës që ai tregon. Megjithatë duket se autorët janë informuar boll mbi Shqipërinë nën diktaturë. Këtë e tregojnë vizatimet, ku tregohen gratë duke punuar në ara me shat, të veshura me pantallona e fustane. Nuk mungojnë edhe qerret me kashtë të tërhequra me buaj. Botimi i parë doli në vitin 2005. Janë vitet ‘60. Në qendër është Leka një fëmijë jetim, i adoptuar nga Nikita, një emigrant rus. Djali simpatik që është vetëm 13 vjeç, me siluetin e tij të imtë, shikimin e drejtpërdrejtë dhe të gëzuar, tërheq vëmendjen dhe simpatinë e të gjithë atyre që e rrethojnë. Për ta bërë historinë pak më interesante, autorët e përfshijnë Lekën në një trafik të paligjshëm, në atë të shitjes së fëmijëve shqiptarë, familjeve që nuk mund të kenë. Në lojë futet Sosja, vajza e doktorit të fshatit, por edhe puna që Partia bën për të kthyer fëmijën në “rrugë të mbarë”, ndonëse në një vend ku sundon ligji i maleve, është shumë e vështirë.
Pas njohjes me Lekën, në botimin e dytë, të vitit 2006, që ilustrohet në kopertinë me monumentin e diktatorit Stalin, hyjmë në një tjetër ngjarje. Tema e gjakmarrjes është më e pranishme. Ngjarja vendoset në ditët tona, në Veri të Shqipërisë ku Leka bashkë me një grup shokësh zbulon bibliotekën legjendare të Princit të Mirditës. Librat ishin fshehur në muret e kullës, ku ata banonin. Ndër librat e gjetur, figuron një libër i rrallë, “Libri i Gjakut”, i shkruar nga sekretari i Princit . Aty gjenden emrat e të gjithë viktimave të Kanunit. Në listën e emrave gjenden edhe ata të tre anëtarëve të familjes Hila. Emri i Lekës figuron gjithashtu. Ai është trashgimtari i vetëm i gjakmarrjes. Ky libër e kthen pas në kohë, në atë të internimit të familjes. Në vëllimin e fundit prej 48 faqesh, me nëntitullin “Shqipëria”, shtjellohet më tej historia e larjes së gjakut, por kësaj radhe nën një tjetër këndvështrim. Personazhi kryesor është Sosja, e cila për të marrë gjakun e familjes është veshur si djalë. Mbasi ka kryer detyrën është tërhequr dhe jeton vetëm në një fshat të thellë malor, nën emrin Aleksi. Veç në tokën e gjakut, asnjë nuk mund të shpëtojë kaq lehtë. Historisë i shtohet një tjetër figurë ajo e Tomasit, apo më saktë e Vesës, e veshur si burrë, e cila do të komplikojë jetën e Aleksit.
Botimi i shoqëruar një seri vizatimesh është hedhur në qarkullim vetëm dy ditë më pas. Autorët kanë parashikuar që promovimin e numrit të tretë të serisë ta bëjnë pas një muaji, në 16 shkurt në orën 15.00 (në Centre Commercial Régional Evry 2) në Paris.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›