Fituesit e fazës së dytë për të gjitha degët e Universitetit të Vlorës
Listat përfundimtare të fituesve në universitete janë dërguar edhe në universitetet e rretheve. Gazeta, boton sot, fituesit e fazës së dytë për të gjitha degët në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Të interesuarit do të gjejnë në këto lista emrat fitues për këto degë: Cikël i ulët, Cikël i ulët parashkollor, Gjuhë-Letërsi, Anglisht, Italisht, Drejtësi, Administrim biznes, Turizëm, Inxhinieri Navigacioni, Inxhinieri Mekanike, Matematikë, Informatikë, Infermieri. Kandidatët që janë shpallur fitues në listat përfundimtare, në një program tjetër studimi, të një preference të tyre më të lartë, do të çregjistrohen nga programi i studimit ku janë regjistruar paraprakisht, dhe të regjistrohen në programin e studimit ku janë shpallur përfundimisht fitues. Kurse kandidatët, të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk kanë nevojë të riregjistrohen. Sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 26, 27, 28, 29, 30 shtator dhe 1, 2, 3 tetor 2008, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, duhet të kryejnë çregjistrimet e kandidatëve që janë shpallur fitues në një program studimi tjetër, të një preference më të lartë të tyre dhe të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të fituesve, të shpallura nga APRIAL-i.
Dokumentet
Për regjistrimin përfundimtar kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë një dosje individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme:
Dëftesë pjekurie origjinale
Dokument identifikimi dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit.
Dy fotografi
Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë (Nr i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës)
27 Shtator 2008